Kryesore Presidenti Meta i drejton një thirrje Partisë Socialiste

Presidenti Meta i drejton një thirrje Partisë Socialiste

Presidenti i Republikës Ilir Meta ka komentuar në emisionin “Tempora” në RTV Ora deklaratën e kryeministrit Edi Rama se “e vendos PS kur do të mbahen zgjedhjet e radhës” duke theksuar se nuk do të ketë një proces të parakohshëm përpara 2021.

Meta thotë se Rama ka të drejtë kur thotë se PS ka të drejtë të vendosë për zgjedhjet e radhës. Si ndryshe nga herët e tjera Meta i ka drejtuar një thirrje Partisë Socialiste që të shqetësohet për mungesën e legjitimitetit ku është futur vendi.

“Kriza? Nëse do të prisni vetëm nga Presidenti, unë nuk mund të bëj jashtë kompetencave të mia. Ky është një vend që ka qeveri, ka opozitë, ka pushtet vendor, etj. Secili duhet të bëjë detyrat e tij. Opozita duhet të bëjë detyrat e saj, por e rëndësishme është që çdo qytetar të bëjë atë që i takon duke rritur nivelin e kërkesave të tij.

Rama ka të drejtë sepse zgjedhjet bëhen një herë në 4 vjet. Nuk mund të them që nuk vendos PS sepse ajo ka vullnetin dhe ka shumicën për të qëndruar apo shkuar në zgjedhje, por do të ishte në mirë që PS të mos e shmangte vëmendjen nga synimi që është integrimi i vendit. PS duhet të ketë një plan afatgjatë dhe jo lojë pushteti me opozitën.

Vendi ka nevojë për legjitimitet sepse vendi e ka humbur atë. Shikoni sa deputetë ka sot parlamenti. Një parlament që i kanë ikur 183 deputetë dhe kandidatë për deputetë dhe kanë pranuar disa nga fundi i listave. Dëshiron PS ti bëjë zgjedhjet në 2021? Le t’i bëjë, por duhet të shohë legjitimitetin e munguar.

Presidenti është në një pozitë të vështirë në këtë vend. Në një vend ku kanë rënë të gjitha balancat dhe gjithçka është në një dorë të vetme dhe presidenti po mundohet të shpëtojë vetëm Gjykatën Kushtetuese”, tha Meta.