Sport Probleme te Juventusi, dëmtimet mbajnë merkaton të hapur

Probleme te Juventusi, dëmtimet mbajnë merkaton të hapur

Pavarësisht mungesave për shkak dëmtimesh dhe fatit të keq në disa raste, skuadra bardhezi ka një potencial teknik që i garanton të mbajë titullin në Torino.

Por, në Europë ndryshon melodia dhe ndaj Atleticos së Madridit në Champions do të duhen futbollistët më të mirë, në maksimumin e formës. Pikërisht për këtë, ndeshja në “Olimpico” duket se po e mban të hapur merkaton e Juventusit, e kjo për shkak të dëmtimeve.

Janë orët e fundit të lëvizjeve në tregun europian, por dëmtimet e Bonuccit dhe Khedirës janë vërtet për t’u shqetësuar. Kavilja e mbrojtësit italian është dëmtuar dhe do ta mbajë atë jashtë ndeshjes me Atalantën, të mërkurën.

Por Bonucci mund ta shohë nga tribuna edhe sfidën ndaj Atleticos. Zëvendësuesi numër një i tij është Benatia, që ka fluturuar në Katar, ndërsa Caseres nuk do të jetë asnjëherë në të njëjtin nivel. Allegri konsideron titullar edhe Sami Khedirën, por gjuri i tij mban në ankth Juventusin, me gjermanin që nuk ofron garanci këtë sezon.