Kryesore Projekt-rezoluta antikorrupsion, Bardhi: Fjalë boshe të Ramës. Mund të votoni edhe një...

Projekt-rezoluta antikorrupsion, Bardhi: Fjalë boshe të Ramës. Mund të votoni edhe një libër për Ndokën dhe Rrajën

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, replikoi me kryeministrin Edi Rama në lidhje me projekt-rezolutën kundër korrupsionit të propozuar nga Partia Socialiste.

Bardhi tha ndër të tjera se është hipokrizi që Rama të flasë për korrupsion prandaj edhe rezoluta është dokument pa vlerë, sa kohë nuk ka vullnet real për qeverisje, luftë ndaj korrupsionit dhe shtet ligjor.

“Rezoluta është një dokument pa vlerë, fjalë boshe, sa kohë nuk ekziston vullneti real për qeverisje, luftë ndaj korrupsionit dhe shtet ligjor”, tha ai.

Prandaj theksoi se demokratët do ta abstenojnë projekt-rezolutën.

“Ne e çmojmë të panevojshme miratimin e një rezolute për t’i caktuar vetes axhendën apo se çfarë do të bëjmë. Do të abstenojmë duke mos marrë pjesë në votim. Që ditën kur jemi betuar në Kushtetutë e kemi bërë të qartë çfarë duhet të bëjmë. Ju që nuk e keni ende të qartë axhendën tuaj, ju që keni nevojë t’ia konfirmoni vetes para pasqyrës që do ta luftoni korrupsionin me fjalë mund ta bëni, mund të votoni rezoluta, madje mund të votoni edhe një libër manual si mirëqeveriset me Arben Ndokën dhe Rrahman Rrajën”, tha Bardhi.

Bardhi i përmendi kreut të qeverisë, ish-deputetin Arben Ndoka e shpallur në kërkim si pasojë e dosjes së fundit të SPAK ku u nxorrën 50 urdhër-arreste e u goditën 7 grupe kriminale.

“Zotrote na the edhe që Arben Ndoka është deputet dhe përfaqësues i qytetarëve, por doli fiks siç tha opozita që ishte drejtues i një grupi të strukturuar kriminal që ditën votonte me ty ligjet e reformës në drejtësi dhe natën porosiste vrasjen e kolegëve të vet deputetë, familjarëve të tyre apo qytetarëve që ti ua kishe vënë mbi kokë për t’i përfaqësuar”, tha Bardhi gjatë seancës ku po diskutohet projekt-rezoluta antikorrupsion.