Aktualitet 500 mijë eurot/ Dënohet me 20 muaj burg Alda Klosi, 4 vite...

500 mijë eurot/ Dënohet me 20 muaj burg Alda Klosi, 4 vite e 8 muaj burg për Rozeta Dobin

Ish-zyrtarja Alda Klosi u dënua me 2 vite e 6 muaj burg nga Gjykata e Tiranës këtë të martë që për shkak të gjykimit të shkurtuar i konvertohet në 20 muaj burg. Ajo akuzohej për fshehje të pasurisë.

Sanitarja Rozeta Dobi u dënua me 7 vite burg, të cilës i konvertohet në 4 vite e 8 muaj për shkak të gjykimit të shkurtuar. Djali i saj, Havier Dobi u dënua me 5 vite burg që i konvertohet në 3 vite e 4 muaj në qeli për shkak të gjykimit të shkurtuar. Ata akuzohen për vjedhje me pasoja të rënda.

Çfarë ndodhi gjatë seancës

Prokuroria e Tiranës ka kërkuar 6 vite burg për Rozeta Dobin, sanitaren që iu gjetën rreth 500 mijë euro në banesë. Prokurorja Mirela Zavani tha gjatë pretencës që të mbahen parasysh rrethanat lehtësuese ndaj Dobit si dhe të aplikohet gjykimi i shkurtuar.

Bashkë me të është në qeli edhe djali i saj, Havier Dobi, të cilët akuzohen për vjedhje me pasoja të rënda.

Për djalin prokuroria kërkoi 4 vite burgim dhe të aplikohet ulja e dënimit me 1/3 dhe duke zbatuar nenin 59 ai të dënohet përfundimisht me 3 vite shërbim prove.

Për ish-zyrtaren Alda Klosin, e cila nuk ishte e pranishme seancën e sotme, organi i akuzës kërkoi 2 vite e 6 muaj burgim dhe të aplikohet gjykimi i shkurtuar.

Klosi akuzohet për fshehje të pasurisë.

Po ashtu prokuroria kërkoi që dy makinat e blera nga Havier Dobi me paratë e vjedhura të kalojnë në favor të shtetit, ndërsa sekuestroja për llogaritë bankare të Rozeta Dobit të hiqet. Po ashtu, kërkoi që bizhuteritë e vjedhura t’u kthehen personave që u janë marrë.

Mbrojtja e Rozeta Dobit sqaroi se janë treguar bashkëpunues dhe ajo është arsyeja pse u zbulua ngjarja.

“Të merret parasysh fakti që Dobi nuk do të jetë e dënuar, ata kanë edhe një fatkeqësi pasi ka ndërruar jetë bashkëshorti i Rozeta Dobit dhe ajo duhet të kujdeset për djalin. Kërkojmë dënimin në minimum dhe pezullim të dënimit me burg. Ajo do të jetë e gatshme të bashkëpunojë me drejtësinë, ajo ndihet e penduar për atë që ka bërë. Ne kërkojmë që çdo pasuri e deklaruar para datës së vjedhur t’i kthehen Rozeta Dobit”, tha avokati i saj.

Në këtë mënyrë ata kërkuan kthimin e 25 mijë eurove dhe 1 milion lekë të vjetra, por prokuroria thotë se nuk rezulton që Dobi t’i ketë krijuar ato me burime të ligjshme.

“Së pari shpreh pendesën time për çdo gjë që ka ndodhur. Kërkoj mëshirën tuaj në dhënien e vendimit. Atë shumë parash Alda Klosi ma ka kërkuar që t’i mbaj dhe në një moment të dytë do t’ia ktheja tek shtëpia e saj. Unë nuk kam vjedhur, më vjen keq e kam mbajtur familjen me punë të ndershme. Më ka kërkuar që t’i mbaja, këtë inskenim. Ajo e ka bërë që të fajësojë ish-bashkëshortin e saj”, tha vetë Rozeta Dobi.

Ndërsa djali i saj shprehu pendesën për krimin e kryer. Avokati i tij kërkoi që të merren parasysh rrethanat lehtësuese pasi ai është i vetmi që mund të sigurojë të ardhura për familjen dhe të mos dënohet me burg, por me shërbim prove.

Ndërsa mbrojtja e Alda Klosit kërkoi pafajësi.

“E pandehura Alda Klosi është kryefamiljare. Ka një vajzë dhe një djalë të mitur dhe po ashtu ka probleme shëndetësore dhe ajo vetë është jo mirë me shëndet. Në këto kushte kërkojmë që dënimi të jetë i njëjtë me kohën e qëndrimit në paraburgim”, u shpreh avokati i saj.