Bota Pse amerikanët po largohen nga Nju Jorku?

Pse amerikanët po largohen nga Nju Jorku?

Anna Nelson

Në qytetin e Nju Jorkut, kompanitë që lëvizin plaçkat për banorë e biznese që ndërrojnë shtëpi apo zyra, kanë qenë shumë të zëna kohët e fundit. Deri tani numërohen rreth 6500 apartamenteve të braktisura. Pronarët janë në konkurrencë me njeri-tjetrin për qeraxhinj të tjerë.

Një skenë gjithnjë e më e zakontë në rrugët e Manhatanit: kamionë që mbushen me kuti me orenditë e banorëve që kanë vendosur të largohen nga Nju Jorkun.

Ndryshe nga shumë biznese të tjera, kompanitë e lëvizjes së plaçkave janë këto ditë shumë të ngarkuar me punë.

“Shumë njerëz po vendosen në Florida, Kaliforni dhe Teksas. Këto janë destinacionet kryesore për ata që largohen nga zona. Ata që qëndrojnë në këtë zonë, zhvendosen në Nju Xhërsi, Konektikat, Long Ajlend, apo periferi të tjera të Nju Jorkut”, thotë Nancy Zafrani, menaxhere e kompanisë së transportit, “Oz Moving & Storage”.

Nju Jorku ka tani më shumë zyra të lira, vagonat e metrosë janë thuajse bosh dhe krimet e dhunshme po shtohen. Shumë banorë po zhvendosen në shtete si Nju Xhërsi ku çmimet e banesave po rriten.

“Ndër ato që dëgjojmë këto ditë nga klientët, duan shtëpi me një dhomë ekstra që të përdoret si zyrë apo studio. Në apartamentet e shtrenjta të Nju Jorkut të paktë janë ata që mund të paguajnë për dhomë ekstra. Ndërsa në shtete të tjera njerëzit mund ta përballojnë, sidomos në këtë periudhë kur dhoma ekstra është bërë e domosdoshme pasi punojnë nga shtëpia”, thotë një agjent i pronave imobiliare.

“Kur kopshti i fëmijëve ku punoja u mbyll në mars, të dy me burrin filluam të punojmë në tryezën e bukës. Unë lidhem me nxënësit me Zoom pra dua qetësi absolute sepse u këndoj këngë, u lexoj përralla. Por në këto kushte kam pranë burrin që gjithë kohës është në mbledhje përmes kompjuterit”, thotë një Evgenia Lopatnik nga Nju Xhërsi.

Pas katër muajsh të mbyllur në apartamentin e tyre në Nju Jork me një fëmijë të vogël, vendosën të kërkojnë shtëpi në Nju Xhërsi, me hapësirë për zyrë dhe me pishinë. Ata thonë se u pëlqente shumë Nju Jorku, por se pandemia po vazhdonte pafund.

“Ideja se mund të ishim mbyllur për një vit tjetër po na çmendte. Më mirë të udhëtoj përditë për të shkuar në Nju Jork për punë se sa të mbetem mbyllur në një apartament pa ballkon”, thotë Evgenia.

Shumë miq të tyre kanë bërë të njëjtën zgjedhje. Numri i apartamenteve të mbetura bosh ka arritur në nivele rekord për këtë dekadë. Autoritetet po përpiqen të bindin banorët të kenë durim, por deri tani nuk kanë arritur ta ndalin ikjen nga Nju Jorku./VOA