Bota Pse dy bazat ushtarake amerikane në Turqi janë tejet strategjike për Pentagonin

Pse dy bazat ushtarake amerikane në Turqi janë tejet strategjike për Pentagonin

Pas shumë dekadash bashkëpunimi ushtarak, Turqia ka kërcënuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës se mund t’i mbyllë një nga “portat” më të rëndësishme në Lindjen e Mesme, Bazën e Incirlikut.

Në një intervistë televizive, Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan e bëri të qartë se është i vendosur të sfidojë jo vetëm fqinjët e tij me zgjerimin e sovranitetit detar, por edhe SHBA-në, duke paralajmëruar se Ankaraja mund të mbyllë dy baza ushtarake ku janë të vendosura trupat amerikane.

“Ne do të diskutojmë me të gjitha delegacionet tona dhe nëse është e nevojshme, do të mbyllim edhe Incirlikun dhe Kurecikun“, tha Erdogan, duke dërguar kështu një mesazh alarmues në Uashington.

Rëndësia strategjike

Të dyja këto baza kanë një rëndësi të jashtëzakonshme strategjike për Pentagonin, pasi i ofrojnë qasje në Lindjen e Mesme, por edhe Mesdhe.

Planet për vendosjen e raketave në Turqi nga ish-presidenti Kennedi ishin në fakt edhe “shkëndija” që ndezi krizën e raketave në Kubë, duke bërë që Rusia të çonte raketat në brigjet i ishullit komunist. Por pavarësisht konfrontimit të ashpër më Rusinë, që nga viti 1962 trupat amerikane u vendosën në Incirlik, për të mos u larguar më nga Turqia. Pra, çfarë e shtyu presidentin turk të kërcënonte me mbylljen e një baze që ka një rëndësi kaq të madhe strategjike dhe historike?

Kësaj radhe “shkëndija” duket të ketë qenë rezoluta e Senatit Amerikan për njohjen e gjenocidit armen në 1915. Presidenti turk e cilësoi këtë rezolutë si “plotësisht të papranueshme “, duke paralajmëruar se “është shumë e rëndësishme për të dy palët që SHBA-ja të mos ndërmarrë vendime nga të cilat nuk mund të bëjë hap pas”.

“Na vjen keq që polarizimi brenda jetës politike amerikane ka pasoja negative për ne dhe se disa grupe po keqpërdorin zhvillimet e vendit tonë për interesat e tyre, në mënyrë që të dobësojnë pozicionin e presidentit Trump”, shtoi Erdogan.

Presidenti turk Rexhep Taip Erdogan.

Por paralajmërimi i tij ka alarmuar Uashingtonin. Disa orë pas intervistës së presidentit turk, zëdhënësi i Pentagonit doli në një deklaratë duke komentuar mbylljen e mundshme të bazave ushtarake të Incirlikut dhe Kurecikut.

“Ne e shohim statusin e forcave tona të armatosura në Turqi si simbolin e dekadave të tëra të bashkëpunimit dhe përkushtimit me një aleat strategjik si Turqia, duke punuar edhe për ta mbrojtur atë nga kërcënimet e jashtme”, tha një zëdhënësi i Pentagonit, duke e lidhur këtë vendim edhe me marrëveshjen për blerjen e raketave ruse.

“Ne jemi të angazhuar për të ruajtur këtë marrëdhënie dhe i bëjmë thirrje Turqisë që të ndërmarrë një politikë më shumë konstruktive në lidhje me blerjen e sistemit rus të raketave S-400 dhe ndërhyrjen në Siri”, deklaroi zëdhënësi i Pentagonit

Baza e Incirlikut ndodhet në provincën Adanas dhe mban qindra avionë ushtarakë amerikanë, ndërkohë që baza e radarëve ushtarake në Kurecik është pjesë e sistemit të mbrojtjes raketore të NATO-s në Europë. Kjo bazë është hapur për ushtritë aleate viti 2012.

Mosmarrëveshjet mes SHBA-së dhe Turqisë duket se filluan me blerjen e raketave ruse S-400, u përshkallëzuan me ndërhyrjen në Siri dhe u pasuan me marrëveshjen mes Ankarasë dhe Libisë për zgjerimin e sovranitetit deri në Kretë dhe duket se arritën pikën e vlimit me njohjen e gjenocidit armen.

Duke pasur parasysh zhvillimet e fundit në rajon, bazat e Incirlikut dhe Kurecikut janë “asi më i fuqishëm” që Turqia ka “nën mëngë” për t’i bërë presion SHBA-së që të mos ndërhyjë në pazaret e saj me Rusinë, Sirinë, apo edhe Libinë.

Kjo nuk është hera e parë që Turqia përdor këtë kartë, pasi edhe në vitin 2017, ajo kërcënoi SHBA-në se do të dëbonte trupat amerikane nga baza e Incirlikut.

Baza e Incirlikut

Kjo bazë ajrore u bë operative në vitin 1955 pasi Turqia u përpoq të forconte lidhjet me NATO-n dhe bllokun perëndimor. Ajo është një bazë turke, por më shumë se gjysma e saj i është dhënë për përdorim ushtrisë amerikane. Ajo është një nga 13 bazat më të mëdha në dispozicion të ushtrisë amerikane në të gjithë botën. Kushtet e përdorimit të saj janë të përcaktuara në një marrëveshje që Turqia dhe Shtetet e Bashkuara nënshkruan në mars të viti 1980, sipas të cilës SHBA-të njohin të gjitha të drejtat sovrane turke mbi Incirlikub dhe zotohen të mos vendosin aeroplanë luftarak për operacione të ndryshme nga ato të misioneve të NATO-s.

Baza e Incirlikut në Turqi

Që nga inaugurimi i saj, baza ka qenë subjekt i polemikave politike dhe shënjestrës së kundërshtarëve të brendshëm të partneritetit ushtarak me Shtetet e Bashkuara. Në fakt, edhe në të kaluarën, Ankaraja ka ndaluar Shtetet e Bashkuara që ta përdorin këtë bazë. Për shembull, në korrik të vitit 1975 në shenjë hakmarrjeje ndaj embargos së armëve nga Shtetet e Bashkuara pasi Turqia ndërhyri ushtarakisht në Qipro, Ankaraja dëboi trupat amerikane, por të dyja palët arritën një marrëveshje një vit më vonë.

Sa larg mund të shkojë Turqia?

Për Shtetet e Bashkuara, baza e Incirlikut është me rëndësi thelbësore, pasi i siguron përparësi të mëdha në operacionet e saj në Lindjen e Mesme për shkak të vendndodhjes së saj gjeografike dhe strukturës.

Por sipas një sondazhi të opinionit publik të bërë në mes të nëntorit, 30% e publikut turk beson se Shteteve të Bashkuara duhet t’u ndalohet të përdorin Incirlikun nëse lidhjet bilaterale përkeqësohen më tej. Në këto kushte, Ankaraja është duke u bërë më e zëshme në përdorimin e bazave të Incirlikut dhe Kurecik, për t’i bërë presion Shteteve të Bashkuara dhe NATO-s. Se sa larg mund të shkojë në këtë lojë të negociatave është e vështirë të parashikohet, por sipas ekspertëve një gjë është e sigurt: Ankaraja nuk mund të mbyllë bazën e Incirlik nëse nuk vendos të braktisë NATO-n.