Shumica e njerëzve kur kthehen në shtëpi, mendojnë se udhëtimi i kthimit është më i shkurtër se ai i nisjes për në destinacion. Edhe pse të dyja distancat e udhëtimit janë zakonisht të njëjta, rruga e kthimit na duket më e shkurtër.
Shkencëtarët besojnë se ky ‘efekt i udhëtimit të kthimit’ nuk është shkaktuar ngaqë ne jemi të njohur tashmë me rrugën e kthimit, siç mendohet, por është për shkak të pritjeve të ndryshme. Hulumtuesi kryesor Niels van de Ven, i Universitetit të Tilburgut në Holandë, tha: ‘Njerëzit shpesh nënvlerësojnë se sa kohë zgjat udhëtimi që bëjmë në nisje dhe për këtë arsye përjetohet më gjatë udhëtimi. Duke u bazuar në atë ndjenjë, udhëtarët presin që udhëtimi i kthimit të jetë edhe më i gjatë dhe kjo më pas rezulton më e shkurtër se sa pritej”.
Një vlerësim paraprak i kohës së udhëtimit bën që iluzioni i udhëtimit të kthimit të na duket më i shkurtër. Ky përfundim u bazua në tre studime të shkurtra ku 350 persona udhëtuan me autobus, me biçikletë ose duke parë një video të një personi që bënte një udhëtim me biçikletë.
Kur u krahasuan vlerësimet e kohëzgjatjes, të anketuarit mendonin se udhëtimi i kthimit mesatarisht shkoi 22 përqind më shpejt se udhëtimi i nisjes. Efekti i udhëtimit të kthimit ishte më i madh për pjesëmarrësit të cilët raportuan se udhëtimi fillestar ndjehej si zhgënjyes dhe gjatë.
‘Zbulimet mund të na ndihmojnë të bëjmë parashikime të reja se si njerëzit përjetojnë kohëzgjatjen e detyrave, madje edhe ato që nuk kanë të bëjnë me udhëtimin’.
Deri tani, një shpjegim popullor për udhëtimin e kthimit që ndjehet më i shkurtër, ishte për shkak se udhëtarët njihen me atë rrugë.
Megjithatë, në studimin e tyre, kërkuesit treguan se ky shpjegim nuk ka gjasa të jetë i saktë.
Bashkëautori Michael Roy, nga Kolegji Elizabethtown në Pensilvani, tha: ‘Efekti i udhëtimit të kthimit gjithashtu ekzistonte kur të anketuarit morën një rrugë tjetër, por të barabartë, me rrugën që kishin përshkuar më parë”.
Një studim i vitit 2016 i botuar në revistën ”Hippocampus” hedh pak më shumë dritë mbi atë se çfarë mund të bëjë truri për të zvogëluar kohën e udhëtimit të kthimit. Sipas tyre ky fenomen mund të ndodhë sepse ju nënvlerësoni kohën që do t’ju duhet për të arritur në destinacion duke ju lënë të zhgënjyer kur zgjat më shumë se sa keni menduar dhe ka gjasa të mbivlerësoni kohën që duhet të marrë për t’u kthyer. Parashikimi i kohës që do ju duhet për të mbërritur në destinacion e bën udhëtimin të duket edhe më i gjatë. Një tjetër studim thotë se duke mos e ditur se çfarë ju pret kur të mbërrini në destinacion, ju jep iluzionin sikur udhëtimi zgjat shumë më shumë sesa ai i kthimit.