Sport PSG zyrtarizon Messin, argjentinasi do të fitojë 35 milionë euro në sezon

PSG zyrtarizon Messin, argjentinasi do të fitojë 35 milionë euro në sezon

Sapo Lionel Messi shkeli në Francë, Paris Saint Germain nuk humbi kohë. Klubi zyrtarizoi afrimin e futbollistit argjentinas, nëpërmjet një videoje në faqen zyrtare në Twitter.

Gjithçka në harkun e 12 sekondave, ku alternohen imazhe të Kullës Eiffel, avionëve, një gotë mate, pija kombëtare në Argjentinë, 6 Topa të Artë dhe firma në kontratë.

Messi përshëndeti tifozët e shumtë që e pritën me entuziazëm.

Gjashtë herë fituesi i Topit të Artë do të ketë kontratë 2-vjeçare, me opsion rinovimi deri në vitin 2024. Messi do të përfitojë rreth 35 milionë euro në sezon nga marrëveshja me klubin e sheikëve.

Transferimi i Messit te Paris Saint Germain është përshëndetur edhe nga Neymar, miku i tij brazilian i cili u shpreh i lumtur që do të luajnë përsëri krah njëri-tjetrit.

Ndërkohë, në Barcelonë zhgënjimi është i madh. Në ditën kur argjentinasi i dha fund epokës me katalanasit, pas 21 vitesh, klubi vendosi menjëherë ta heqë fotografinë e idhullit të tifozëve nga stadiumi “Camp Nou”.

34-vjeçari njoftoi largimin nga blaugranat, edhe pse ishte gati që të reduktonte pagën me 50% dhe arriti akord me klubin. Por, marrëveshja nuk mund të finalizohej, për shkak të rregullave financiare të La Liga-s, e cila nuk lejonte firmosjen e kontratës për shkak të borxhit financiar, me vlerë 1,2 miliardë euro të Barcelonës.