Extra Psikologji: Çfarë ndodh nëse i ngul sytë tjetrit për 10 minuta? 

Psikologji: Çfarë ndodh nëse i ngul sytë tjetrit për 10 minuta? 

Një hulumtim tregon se njerëzit janë një nga speciet me shikimin më të zhvilluar. Sigurisht që nuk mund t’i krahasojmë sytë tanë me të lakuriqit të natës, por ne jemi kaq precizë sa mund të dallojmë dikë që po na sheh nga shumë larg, dhe madje të dallojmë nëse po sheh sytë apo hundën tonë.

Kur ne e përqendrojmë shikimin tek njëri-tjetri për një periudhë të gjatë kohore, gjëra të çuditshme mund të ndodhin.

Nga studimi i kryer rezultoi se sytë tanë mund të na mashtrojnë në një mënyrë të tillë që na shkëpusin komplet nga realiteti.

Psikologu italian Giovanni Caputo zhvilloi një studim në Universitetin e Urbinos për të zbuluar se çfarë ndodh në trurin e njeriut, kur 2 njerëz i shikojnë njëri-tjetrin në sy për një periudhë të gjatë kohore.

Ai dhe ekipi i tij e kryen studimin me 40 të rritur të cilët i ndanë në dy grupe.

20 prej tyre u futën në një dhomë me dritë të zbehtë. Më pas iu kërkua që të shohin njëri-tjetrin në sy për rreth 10 minuta. Ndërsa 20 pjesëtarëve të tjerë të grupit iu tha që të shihnin një mur të bardhë.

Pas këtij eksperimenti pjesëtarëve iu bë një pyetësor se çfarë panë dhe ndjenë. Dhe rezultoi se ata që panë njëri-tjetrin në sy për një periudhë të gjatë, u shkëputën nga realiteti. Atyre iu duk sikur u shkëputën nga trupat e tyre. Zërat dhe ngjyrat iu dukën ndryshe, madje edhe perceptimi i kohës ndryshoi.

Më interesantja është se ata përjetuan halucinacione. 90% e pjesëmarrësve në këtë eksperiment thanë se fytyra e personit tjetër u shtrembërua, pasi kishin 10 minuta që i kishin ngulur sytë. Disave iu duk sikur fytyra e njeriut përballë mori formën e një kafshe. Disave iu shndërrua në fytyrën e një familjari, madje pati nga ata që thanë se iu duk edhe si vetja e tyre.

A po luan truri me ne? Dr. Caputo nuk ka një përgjigje të qartë për këtë, por thotë se mund të ndodhin për shkak të privimit shqisor, që do të thotë një stopim i shqisave të tjera.

Përfundimet nga eksperimenti i profesorit italian ishin të ngjashme me përfundimin e një tjetër studimi të kryer më herët. Edhe ky studim zbuloi se kur dy njerëz i ngulin sytë njëri-tjetri për një periudhë relativisht të gjatë kohore, kjo bën që individët të shkëputen nga realiteti.

Pyetja është, a do të përjetoni të njëjtën gjë pasi ta keni lexuar këtë studim dhe duke e ditur tashmë se çfarë mund të ndodhë me ju?

Përgjigjen e kësaj do ta merrni pasi ta provoni.