Bota Putin: Biden, burrë shteti me përvojë, shumë ndryshe nga Trump

Putin: Biden, burrë shteti me përvojë, shumë ndryshe nga Trump

Vladimir Putin i bëri një kompliment të rrallë homologut amerikan, Joe Biden, duke e quajtur një “burrë shteti me përvojë”. “Ai është shumë ndryshe nga presidenti Donald Trump”, tha Putin në konferencën për media pas takimit 4-orësh.

Pasi gazetarët i kujtuan një shprehje të Biden, i cili dikur i ka thënë Putinit se “nuk ke shpirt”, Putin u përgjigj: “Ai është një person konstruktiv, i ekuilibruar, me përvojë. E prisja këtë. Ai foli për familjen e tij dhe bisedat që bënte me të ëmën. Këto gjëra nuk është se kanë lidhje të drejtpërdrejtë me punët tona, por tregojnë cilësitë dhe vlerat e tij. Kjo nuk do të thotë se duhet të shohim sytë dhe shpirtin e njëri-tjetrit. Ne mbrojmë interesat e shteteve tona dhe kjo bëhet me pragmatizëm”.

Por pavarësisht komplimenteve, Putin tha se Biden nuk e kishte ftuar të vizitonte Shtëpinë e Bardhë dhe as ai nuk e kishte ftuar të vizitonte Kremlinin.

Putin tha se ai dhe Biden kanë arritur marrëveshjen që të kthejnë ambasadorët respektivë dhe ata të rinisin detyrat e tyre diplomatike.

Ambasadori rus në SHBA, Anatoly Antonov, dhe ambasadori amerikan në Rusi, John Sullivan, u kthyen në vendet e tyre disa muaj më parë, pasi tensionet SHBA-Rusi u rritën tej mase.

Ndërsa, në lidhje me futjen e Ukrainës në NATO, Putin theksoi: “Nuk ka asgjë për të diskutuar”.

Kur u pyet nga CNN nëse bisedimet me Biden ishin “armiqësore”, Putin u shpreh se nuk ishin aspak të tilla, madje ishin “shumë konstruktive”, me të dyja palët që treguan “vullnet për të kuptuar njëri-tjetrin”.

Putin shtoi se ai dhe Biden ranë dakord për të nisur negociatat mbi sigurinë kibernetike.