Bota “Putin është kasap”, Macron distancohet nga Biden: Teprimi me fjalorin nuk ndihmon

“Putin është kasap”, Macron distancohet nga Biden: Teprimi me fjalorin nuk ndihmon

Presidenti francez Emanuel Macron paralajmëroi se përshkallëzimi verbal lidhur me luftën në Ukrainë nuk do të ndihmojë në arritjen e një armëpushimi.

Reagimi i Macron vjen një ditë pasi homologu i tij amerikan, Joe Biden e përshkroi liderin rus Vladimir Putin si kasap dhe tha se ai nuk duhet të lejohet të qëndrojë në pushtet.

Macron u tha mediave franceze se qëllimi ishte një armëpushim në Ukrainë dhe më pas tërheqja e trupave ruse.

Ai tha se kjo nuk do të ishte e mundur me një përshkallëzim përmes fjalëve apo veprimeve.

Autoritetet amerikane kanë mohuar se Biden po bënte thirrje për ndryshimin e regjimit në Rusi pas komenteve të tij gjatë një vizite në Poloni.

Macron ka mbajtur komunikim me presidentin rus gjatë gjithë krizës në Ukrainë dhe tha se do të fliste me Putinin në dy ditët e ardhshme për të organizuar evakuimin e civilëve nga qyteti port i bombarduar rëndë Mariupol.

Çfarë tha Biden?

“Për hir të Zotit, ky njeri nuk mund të qëndrojë në pushtet”, tha presidenti amerikan Biden për Putinin në fund të një fjalimi të shtunën në mbrëmje, në Varshavë.

Deklarata e tij u interpretua si një ndryshim dramatik në politikën e jashtme të SHBA-së, ku Biden duket se sugjeronte se ndryshimi i regjimit ishte i nevojshëm në Rusi.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, u kundërpërgjigj menjëherë duke thënë se “nuk i takon Bidenit të vendosë dhe se presidenti i Rusisë zgjidhet nga rusët”.

Teksa fjalët e Biden u bënë rikoshet në mbarë botën, Shtëpia e Bardhë u përpoq të sqaronte se deklaratat e presidentit amerikan nuk ishin një thirrje e drejtpërdrejtë për rrëzimin e Putinit.

“Presidenti Biden kishte si qëllim të thoshte se Putinit nuk mund t’i lejohet të ushtrojë pushtet mbi fqinjët e tij apo rajonin. Ai nuk po diskutonte fuqinë e Putinit në Rusi, apo ndryshimin e regjimit”, tha Shtëpia e Bardhë.

Në të njëjtin fjalim Biden e quajti Putinin një “kasap”, një “kriminel lufte” dhe një “diktator vrasës”.

Lideri parlamentar rus Vyacheslav Volodin akuzoi presidentin amerikan për “deklarata jodiplomatike” dhe “histeri”.