Presidenti Vladimir Putin ka urdhëruar që numri i ushtarëve rus të rritet me 180,000 trupa në 1.5 milionë ushtarakë.
Kjo do ta bënte ushtrinë ruse të dytën më të madhe në botës pas Kinës.
Në një dekret të publikuar në faqen zyrtare të Kremlinit, Putin urdhëroi që numri i përgjithshëm i forcave të armatosura të rritet në 2.38 milionë njerëz, nga të cilët ai tha se 1.5 milionë duhet të jenë ushtarakë aktivë.
Sipas të dhënave nga Instituti Ndërkombëtar për Studime Strategjike (IISS), ka bërë të ditur se një rritje e tillë do të bënte që Rusia të kapërcejë Shtetet e Bashkuara dhe Indinë.
Kjo është hera e tretë që kreu i Kremlinit kërkon zgjerim në radhët e ushtrisë që nga dërgimi i ushtrisë së tij në Ukrainë në shkurt 2022.
“Ne tani duhet të formojmë struktura dhe njësi të reja ushtarake për të garantuar sigurinë në veriperëndim të Rusisë pasi Finlanda, me të cilën ne kufizohemi, është bashkuar me bllokun e NATO-s,” tha Andrei Kartapolov, kryetar i komitetit të mbrojtjes të dhomës së ulët të parlamentit rus.
Putin që nga viti 2022 kishte urdhëruar më parë dy rritje zyrtare të numrit të trupave luftarake. Për më tepër, Rusia mobilizoi mbi 300,000 ushtarë në shtator dhe tetor 2022 në një stërvitje që bëri që dhjetëra mijëra burra të largoheshin nga vendi.