Kukësi, këtë fillim jave, për të tretën ditë me radhë nuk ka regjistruar asnjë rast të ri me COVID-19. Testet kanë rezultuar negative. Ndërkohë familjet e personave të kontaminuar si dhe të afërm të tyre janë në izolim të plotë dhe në mbikëqyrje të vazhdueshme nga njësia vendore e Shëndetësisë në Kukës.
Krahas monitorimit për bartësit e koronavirusit, që kryhet çdo ditë nga personeli shëndetësor, tashmë po trajtohen me ndihma në paketa ushqimore nga Bashkia Kukës dhe me medikamente nga Njësia Vendore e Kujdesit Shëndetësor Kukës.
Ndryshe qyteti i Kukësit, këtë të hënë, i ngjante me përditshmërinë e lëvizjeve të zakonshme të qytetarëve, të cilët populluan rrugët duke bërë që të ngjajë si një ditë e zakonshme. Në qytet të gjitha moshat lëvizin lirisht ndërsa kishte edhe lëvizje të shumta automjetesh.
Siç dihet deri më tani në qytetin e Kukësit janë konfirmuar 11 raste me koronavirus, prej tyre 5 personel mjekësor i spitalit të qytetit.