Kryesore Qeveria planifikon të rihapë kufijtë ajror dhe detar pa asnjë lloj testi...

Qeveria planifikon të rihapë kufijtë ajror dhe detar pa asnjë lloj testi dhe karantine

Edhe pse nuk ka një datë zyrtare se kur do të rihapë kufijtë ajrorë dhe detar, qeveria nuk planifikon të vendosë detyrim karantine apo tamponimi për ata që do të hyjnë në Shqipëri.

Këtë gjë e deklaroi Kryeministri Edi Rama gjatë përurimit të strukturës së re spitalore për COVID-19 jashtë Tiranës.

I pyetur se kur do të rihapë kufijtë ajror dhe detar, Rama tha se kjo çështje nuk varet vetëm nga qeveria shqiptare, por edhe nga shtetet e tjera me të cilat kërkohet koordinim dhe marrëveshje e përgjithshme.

“Ne i hapëm kufijtë tokësor dhe sot që flasim vetëm me Malin e Zi lëvizjet i kemi fluente dhe me Kosovën, pas një momenti të çuditshëm dje”, tha Rama, teksa shtoi se “shteti shqiptar mund t’i hapë kufijtë, por duhet parë nga shtetet e tjera”.

“Për shembull sot debati është brenda BE-së për Italinë dhe Spanjën. Do të thotë që, nëse spekulojmë, Gjermania e Franca të mos hapen me Italinë, nëse ti hapesh me Italinë, atëherë mbyllesh me Gjermaninë e Francën, shpresojmë të tejkalohet kjo gjë deri më 15 qershor,” – analizoi Rama teksa zbuloi se qeveria nuk ka në plan të vendosë masa kufizuese si në periudhën mars-prill ku udhëtarëve u kërkohej të viheshin në karantinë për 14 ditë.

“Është e pamundur që në kushtet kur do turizëm t’i mbash njerëzit në aeroporte për tamponë e prita në aeroporte”, tha kryeministri duke këmbëngulur që qytetarët duhet të kenë besim pasi qeveria e tij “di se çfarë bën”.

Kryeministri tha se për planin e rihapjes së kufijve qeveria kishte marrë në shqyrtim programin e marrë përsipër nga Greqia.

I pyetur për problematikën e kalimit të shqiptarëve të Shqipërisë drejt Kosovës, Rama tha se nuk kishte dijeni për kërkesën e autoriteteve kosovare që qytetarëve u kërkohej analiza e COVID-19 për të kaluar.

Ai tha se shpresonte që qeveria kosovare t’i lehtësojë procedurat e lëvizjes njësoj siç “qytetarëve kosovarë u kërkohen vetëm targa të rregullta kur të hyjnë në Shqipëri”.