Ekonomi Rama, apel rajonit: Pse është e rëndësishme të kemi një treg të...

Rama, apel rajonit: Pse është e rëndësishme të kemi një treg të përbashkët

Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim ka mbledhur në Sarajevë, në një tavolinë të përbashkët liderët e rajonit.

I pranishëm në këtë tryezë, Kryeministri Rama ka bërë sërish apel për rëndësinë e një tregu unik në rajon.

“Ne jemi ne një faze që e dimë por edhe biem dakord mbi atë që duhet të bëjmë në rajonin tonë por njëkohësisht më shumë e kuptojmë që është më  e lehtë të thuhet se sa të bëhet, kështu që  është e qartë që të kalojmë në fazën tjetër; duhet tregtia e lirë dhe një treg i përbashkët. Puna e bërë në këtë drejtim na ka mësuar që është më e lehtë të thuhet se sa të bëhet. Besoj se nuk duhet të presim të bëhemi pjesë e BE për të pasur një model Shengeni. Nuk ka kuptim se përse kemi mbetur kaq prapa në drejtim të komunikimit lëvizjes në një hapësirë të tillë, ku na duhet një treg më i madh, më shumë hapësira për mundësi”, tha Rama.

Ndër të tjera, kryeministri Rama i bëri thirrje përfaqësuesve të rreth 900 bizneseve të pranishëm në konferencën vjetore të BERZH që të investojnë në rajon, pasi sipërmarrja në rajon është tërësisht ndryshe nga politika.

“Ne jemi në një ambient ku të gjithë kanë ardhur në Sarajevë për biznes dhe ku biznesmenët kërkojnë një vend të investojnë, pra ka marrë fund koha ku të gjesh një vend të qetë dhe jemi në një realitet të paparashikueshëm. Por, në këtë realitet ne jemi më të mirët pasi kemi nivelin më të ulët të taksave dhe krahut të punës. Kushdo që investon në BP bën mirë dhe lajmi i mirë është se biznesi nuk ka problemet që kemi ne në nivel politik. Unë bie dakord plotësisht se ajo që po ndodh në komunitetin e biznesit është që ky rajon të jetë unik dhe të funksionojë si një i vetëm”, theksoi kryeministri shqiptar.