Politika Rama: Dhe unë do kisha dalë në protestë për Klodianin, por…

Rama: Dhe unë do kisha dalë në protestë për Klodianin, por…

Kryeministri Edi Rama ka deklaruar sot se drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu nuk do të largohet nga detyra. Rama u shpreh se dhe ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj nuk u largua nga presioni i protestave, por si një shenjë morale që ai dhimbjen me familjen e Klodian Rashës e tregoi dhe me vepra dhe jo vetëm me fjalë.

Më tej Rama tha se nëse nuk do ishte kryeministër dhe ai do të dilte në protestë, por jo të bënte dhunë por të tregonte indinjatën me ngjarjen e ndodhur.

“Si mund të vihet në diskutim tani që nga rruga, jo këta, po sikur të ishin 500 mijë veta, të kërkojnë tani të ikë dhe drejtori i policisë? Nuk vendoset në rrugë se kush ikën e kush vjen, por vendoset në bazë të çfarë është e drejtë. Ishte e drejtë që qeveria të kërkonte ndjesë, jo se kishte gisht në tragjedinë që ndodhi, por sepse djalin e vrau arma e shtetit.

Ishte e drejtë që ministri të këmbëngulte të largohej, jo se kishte përgjegjësi direkte apo indirekt, por mesazhi i dhimbjes për atë familje mos të ishte vetëm me fjalë. Këto nuk janë bërë si rezultati i protestës, dhe unë po të mos isha Kryeministër do kisha dalë në protestë. Jo në këto protesta, por në atë protestën e parë, jo për t’iu hedhur në fyt policëve, por për të dëshmuar indinjatën qytetarisht, për të dëshmuar vendosmërinë qytetare për të kërkuar drejtësi.

Mos harroni thelbin që qysh në momentin e parë, por mos të ishin disa nga mediat nuk do ishin ndotur nga lloj-lloj marrëzish që janë shkruar. SHÇBA ka marrë menjëherë përsipër atë që i takonte dhe autori doli para gjyqit. Atëherë çfarë kërkojnë këta, revolucionin imagjinar në kokën e Metës dhe Berishës, mua më vjen keq për Lulzim Bashën se këto që ndodhin po ndodhin pa dëshirën e tij dhe tregon që është lider pa pikë karakteri. Nëse do ishte lider do dilte të thoshte që kjo nuk është rruga e duhur”, u shpreh kreu i qeverisë.

Në fund tregoi se ministri i Brendshëm do të prezantohet shumë shpejt. “Është thjesht çështje pak kohe”, tha Rama.