Kryesore Rama: Drogën në Britani nuk e sollën shqiptarët, komuniteti jonë është fantastik!...

Rama: Drogën në Britani nuk e sollën shqiptarët, komuniteti jonë është fantastik! Kujdes me influencën ruse në Ballkan

Kryeministri Edi Rama ndodhet sot në ditën e tij të dytë të vizitës në Londër. Ai ka zhvilluar një bashkëbisedim në Institutin Mbretëror të Marrëdhënieve Ndërkombëtare “Chatham House”. Kreu i qeverisë ka folur për një sërë çështjesh të ndryshme duke iu përgjigjur edhe pyetjeve të të interesuarve që kishin shkuar për ta ndjekur drejtpërdrejtë në sallë.

Kreu i qeverisë tha se komuniteti shqiptar duhet të jetë krenar për atë që po bën në Britaninë e Madhe dhe duhet të vijojë të nderojë flamurin shqiptar e atë britanik. E sa i përket deklaratave për emigrantët të Suella Braverman, sekretares së Brendshme britanike, kreu i qeverisë tha se ajo nuk ka kërkuar ndjesë sepse nuk i vjen keq.

Për kriminalitetin shqiptar në Britani, kryeministri tha se nuk e sollën shqiptarët, por aty gjetën drogën dhe tregun prandaj shkuan. Dhe për shkak të disa “mollëve të kalbura”, sipas Ramës, nuk ka arsye që të jetë nën presion “komuniteti fantastik shqiptaro-britanik”.

Për Bashkimin Europian u shpreh se është treguar hipokrit me Shqipërinë. Kjo për shkak, sepse pavarësisht se Tirana zyrtare i “kishte bërë detyrat e shtëpisë”, kjo nuk ishte e mjaftueshme për shkak të problemeve të tyre të brendshme.

Rama foli edhe për rajonin e luftën në Ukrainë. Ai u shpreh se marrëdhëniet në Ballkanin Perëndimor nuk kanë qenë kurrë më mirë sesa sot. Megjithatë, shtoi se duhet pasur kujdes për influencën ruse në Serbi. Kjo është arsyeja sipas Ramës, pse Beogradi duhet mbajtur në anën tonë dhe pse duhen forcuar marrëdhëniet me të. Sa i përket, mosmarrëveshjeve Serbi-Kosovë, Rama u shpreh se pavarësisht gjithçkaje dy vendet ulen në tryezë dhe përparojnë.

Për shqiptarët u shpreh se nuk kanë qenë ndonjëherë mirë në Shqipëri, Kosovë, Mal të Zi dhe Maqedoni të Veriut. Nga të pranishmit në sallë kërkoi të korrigjohej mënyra si thuhet Kosovë. “Dhe unë ndonjëherë them Kosovo, por është Kosova”, u shpreh ai.

Duke u ndalur tek Kosova, tha se raporti i Dick Marty-t është kurth rus. Këtu uroi që Zelensky të mos ketë të njëjtin fat si Hashim Thaçi, i cili pavarësisht se luftoi për pavarësinë e vendit të tij, sot ndodhet në qelitë e Gjykatës Speciale, pikërisht si pasojë e disa akuzave të iniciuara nga raporti i Marty-t.

Sa i përket luftës në Ukrainë, Rama tha se nëse “të mëdhenjtë” nuk i shkojnë deri në fund fitores, bota do të jetë ndryshe.