Aktualitet Rama i rikthehet legalizimit të kanabisit: Nuk do e mbillte çdokush e...

Rama i rikthehet legalizimit të kanabisit: Nuk do e mbillte çdokush e ta shiste më pas me trastë

Kryeministri Edi Rama ka hapur sot sërish temën e legalizimit të kanabisit mjekësor, gjatë një takimi me disa qytetarë në kuadër të nismës së Këshillimit Kombëtar.

Kreu i qeverisë tregoi se si do të funksiononte kultivimi i kanabisit mjekësor në rast se do të legalizohej.

Sipas Ramës, i gjithë procesi do të ishte i monitoruar rreptësisht, dhe kanabisi do të përdorej kryesisht për eksporte.

“Dilema për vendimin është për kanabisin mjekësor. Edhe pse një shkollë e tërë mendimi është se kush legalizon zgjidh problemin e ilegalitetit apo aktiviteteve ilegale të paligjshme. Kur jam pyetur më përpara kam thënë që është diçka që do t’i vijë koha, por nuk jemi në atë moment. Sot ky është një vendim që e diskutojmë brenda nesh. Duhet të kemi parasysh që vendimmarrjet tona janë që diskutohen shumë brenda për brenda. Për këtë e kemi rimarrë disa herë. Bëhet fjalë për kanabisin mjekësor që zhvillohet në mënyrë shumë të kontrolluar. Nuk është aktivitet që u legalizua dhe o burra vijojmë. Me subjekte të liçensuara që janë shumë të kontrolluara. Me impiante që monitorohen me kamera. Sepse interesi i këtij aktiviteti është eksporti.

Këtu në rast se do ta legalizojmë, do të bëhet prodhimi. Por nënproduktet si fillim do nxirren në fabrika që janë jashtë. Janë si eksport farmacie, dhe çdo rrënjë është e monitoruar. Përndryshe nuk funksionon. Nuk është se do mbjellësh kanabis dhe do shkosh me trastë. Do bëhet me një teknologji inovative. Krijon premisa të mira, pasi mund të ishin më të mira disa vite më parë, nuk jemi të parët që po e bëjnë. Edhe në rajon, edhe jashtë saj. Nuk është se tregu është bosh. Ka shumë aktorë si shtete. Kemi dilema, ka dhe pro, por edhe kundër.

Përsëri kjo është diçka që më mirë ta thonë dhe njerëzit. Është një hap i guximshëm sepse ka ato përgjegjësitë e veta, por ka dhe goxha të mira për ekonominë. Pjesa e fëmijëve nuk hyjnë fare. Është shumë strikt në zona të kontrolluara. Me rrethime specifike. Gjithçka është e supermonitoruara. Nëse fabrika në Gjermani, Suedi apo kudoqoftë, thotë se do ta blejë, do të thotë nga e ke nxjerrë. Vendi ku është kultivuar duhet të jetë i madh, por superteknologjike dhe super i sigurt, pasi ndryshe nuk funksionon”, tha Rama.