Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama gjatë një interviste në “Klan Kosova” ka deklaruar se shqiptarët – Shqipëria dhe Kosova – janë bashkë për të promovuar paqen, por edhe për të mbrojtur integritetin territorial.
“Nëse serbët duan të hipin nëpër trena që i çojnë ata prapa në histori, por nuk i prekin asnjë fije floku Kosovës, ne nuk kemi ç’u bëjmë. Por nëse duan të cenojnë një centimetër të territorit tonë, jemi të gatshëm të përgjigjemi”, u shpreh Rama.
“Praktikisht çështja e territorit të Kosovës është mbyllur ditën kur është firmosur pavarësia e saj. Nuk ka shans që Kosova të cënohet qoftë edhe në një centimetër katror të territorit të saj. Ne jemi në anën e duhur të historisë, dhe e duhura është ana e urës, jo e murit”.
Nga ana tjetër, Rama theksoi se nuk ka asnjë luftë në horizonte dhe se ka vetëm një rrugë për të ecur drejtë dhe se shqiptarët kanë vetëm shqetësimin për të qenë në anën e drejtë të historisë.
Ndërsa i pyetur nëse e ka diskutuar ndonjëherë me Vuçiç idenë e shkëmbimit të territoreve në Kosovë, Rama mohoi një gjë të tillë duke theksuar se, “ndarja nuk është asnjëherë në diskutim, por vetëm bashkimi”.