Kryeministri Edi Rama ka mbajtur fjalimin e fitores në sheshin ‘Skënderbej’. Ai e konsideroi “fitoren më të vështirë, më të madhe dhe më të bukur të Partisë Socialiste”
“Me gjithë numrin marramendës të fletëve të pavlefshme, të atyre që kanë zgjedhur 12-n, por kanë gabuar me shenjën e preferencës, ne e kemi thyer rekordin tonë. Ky është rekordi historik i kësaj skuadre të madhe njerëzish të zakonshëm dhe me një shpirt gare që nuk ka të dytë në këtë vend”, tha Rama.
Kryeministri nënvizoi se është “krenar për të gjithë që u angazhuan si patronazhistë, koordinatorë dhe drejtues fushate”.
“Por, më shumë se asnjëherë jam krenarë për shqiptarët, që me urtësinë dhe votën e tyre kaluan një provë të madhe karakteri në këtë moment kaq sfidues për Shqipërinë. Fitoi karakteri ynë si një forcë e pathyeshme edhe përballë fatkeqësive natyrore, fitoi durimi ynë i kalitur në vështirësi të mëdha, fitoi forca më e madhe demokratike, qytetare dhe politike që kanë krijuar shqiptarët ndonjëherë: Partia Socialiste. Por, është një fitore e madhe që duhet ta meritojmë duke e bërë natën ditë, duke punuar dhe respektuar këdo, edhe ata që kanë votuar kundër ose nuk kanë votuar”, shtoi Rama.
“Fitorja ime e parë në mungesën e Anetës, uroj të jetë krenare për mua”
Në fjalën e tij të fitores, kryeministri Edi Rama tha se kjo ishte hera e parë që fitonte pa prezencën e njeriut të tij më të dashur, nënës së tij Aneta Rama.
“Mos e harroni kurrë se kjo fitore duhet merituar në çdo ditë të 4 viteve që kemi përpara. Është një fitore që duhet ta meritojmë me punë të palodhur për Shqipërinë. Me përkushtim dhe respekt për këdo. Kjo është fitorja ime e parë në mungesën e dikujt që më ka ndenjur pranë, më ka ndjekur si hije me dashurinë pa kushte. Dikush që më mungon dhe që shpresoj që po më shikon nga lart, nëna ime Aneta. Uroj që ajo të jetë krenare për mua dhe mirënjohëse pafund për ju të gjithë. Që më mbështetët pa pushuar dhe sot sëbashku me shumicën dërrmuese të shqiptarëve më dhatë që privilegjin që t’ju udhëheq edhe për 4 vite të tjera”, tha Rama.