Kryesore Rama në Kiev: Pse Ukraina është vizita ime e parë si kryetar...

Rama në Kiev: Pse Ukraina është vizita ime e parë si kryetar i Presidencës së OSBE

Gjatë vizitës së sotme në Kiev, pas marrjes së drejtimit të Presidencës së OSBE-së, kryeministri Edi Rama deklaroi në konferencën për shtyp se themelore është garantimi i jetës së njerëzve dhe përpjekjet për armëpushim në zonat e konfliktit.

Në prani të ministri të Punëve të Jashtme Vadym Prystaiko, ai u shpreh se zgjodhi që vizitën e parë ta kryente në Ukrainën pikërisht për shkak të konfliktit me Rusinë, dhe gjetjen e një zgjidhjeje.

“Nuk është rastësi që Ukraina është vizita ime e parë si kryetar i Presidencës së OSBE, ajo reflekton rëndësinë e përpjekjeve për të zgjidhur krizën. Do të bëjmë maksimumin dhe do të inkurajojmë fort zbatimin e marrëveshjeve të Minskut. Ndërkohë që marrëveshjet, formatet po diskutohen dhe duke qenë se shumë kohë e ndoshta do të kërkohet, ajo çka mbetet thelbësore mbetet jeta e njerëzve dhe vështirësitë që të gjithë ata përballin duke jetuar në zonat e prekura nga konflikti.

Ne do të punojmë pa reshtur duke bërë gjithçka, pasi garantimi i ndalimit të të shtënave dhe një armëpushim i qëndrueshëm është jetik për jetën e njerëzve atje. Konflikti vijon të prodhojë viktima civile dhe kjo është e papranueshme.

Synimi ynë është ë sigurojmë armëpushim të plotë”.

Konferencën ai e mbylli me një batutë.

“Shpresoj që atje në vendin tim të mos thonë që kryeministri nuk deshi t’u përgjigjet pyetjeve”.