Kryesore Rama nga Athina: BE nuk është Vatikani, Shqipëria hyn në BE kur...

Rama nga Athina: BE nuk është Vatikani, Shqipëria hyn në BE kur presidencën ta ketë Turqia

Zhgënjimin ndaj Bashkimit Europian, Edi Rama e shprehu dhe në Athinë, ku ishte i pranishëm ne samitin e organizuar nga ish-kryeministri Geogre Papandreou. Si shpëtim për Ballkanin Perëndimor kreu i qeverisë sheh bashkëpunimin rajonal, ndërsa i bëri thirrje dhe Greqisë që të bashkohet.

Gjuhën e ashpër ndaj Bashkimit Europian, Edi Rama e vijoi nga Athina, ku ishte i pranishëm në samitin e organizuar nga ish-kryeministri George Papandreou.

“BE nuk është Vatikani e ne nuk jemi kisha  në ndonjë fshat të humbur të Argjentinës. Ne të gjithë kemi problemet tona. Por ka një standard të çmendur të dyfishtë. Mendoj që është e rrezikshme sepse nuk duhet lejuar të kthehet në anti-BE”.

Sipas kreut të qeverisë, indiferencën e BE-së, vendet e Ballkanit Perëndimor mund ta kompensojnë me vëmendjen ndaj njëra–tjetrës.

“Ajo çfarë kemi është njëri-tjetri në rajon. BE-ja nuk është diçka për të cilën ne duhet të ndryshojmë mendje. Ndërkohë që përgatitemi e përgatitemi për dasmën na duhet që të bëjmë gjithçka, që ta bëjmë rajonin të ngjashëm me BE-në, për të zbatuar 4 liritë e BE-së”.

Rama i kujtoi dhe njëherë Brukselit, tundimin që lindja ka ndaj Ballkanit, ndërsa i bëri thirrje Greqisë që të rikthehet në rajon.

“Natyrisht që ka aktorë të tretë. Kinezët me të cilët kemi patur një martesë shumë të lumtur dhe një divorc shumë të hidhur, thonin, ne me Shqipërinë, kemi gjithë Europën. Për shkak të pozicionit strategjik. Duke patur këtë zonë të hapur, me njerëz të zhgënjyer natyrisht që ka vende që ofrojnë para të lehta”.

Në Athinë, kreu i qeverisë nuk la jashtë vëmendjes as Kosovën, duke kujtuar padrejtësinë që po i bëhet nga unioni me mos liberalizimin e vizave.

Rama tregoi edhe një shaka që qarkullon korridoreve të BE-së, ku thuhet se Shqipëria do të hyjë në union vetëm kur Turqia të ketë Presidencën dhe e anasjellta.

Fjala e Ramës

“Faleminderit që më dhe mundësinë që të përmendem për atë që jam, jam kryeministri më i mirë mes piktorëve dhe piktori më i mirë mes kryeministrave, këtu jam i pashoq, George u përpoq, por nuk ia doli sfidës dhe nuk ka askush që më sfidon këtu. Në Ballkan kemi nevojë të themi që jemi më të mirët në botë për diçka.

Në fillim BE hezitonte, se është pak edhe…Ka vende që na thonë si është e mundur që Kosova nuk lëviz dot lirisht. Gjatë diktaturës ata lëviznin lirisht, tani janë çliruar por nuk mund të lëvizin. Ndërkohë që BE-ja ka vendosur regjim të liberalizimit të vizave me 100 mln njerëz, Kosova është e bllokuar me njerëz që nuk lëvizin dot.

Është e vetmja popullsi në Europë që nuk lëviz dhe kanë përmbushur të gjitha kriteret. BE tha po, pastaj doli çështja e demarkacionit. Edhe Merkel u tha, e bënë ndërkohë nuk ka.

Tani i thonë; luftoni krimin dhe korrupsionit. Po është luftë e pafund. Ndërkohë holandezët na kërkojnë që t’i çlirojmë nga shqiptarët që po përmbysin portin e Roterdamit, që është port droge dhe nuk u bë nga shqiptarët.

Na thuhet mos na i sillni shqiptarët këtu për azil dhe i bëjnë nëpërmjet operacioneve të turpshme duke u treguar më brutal dhe mizor ndaj qytetarëve tanë. Është çmenduri!

Kjo është arsyeja pse gjithmonë përmend vlerat europiane, janë universale. Kështu që ne po përpiqemi t’i zbatojmë në anën tonë. Ne të gjithë kemi problemet tona, por ka një standad të çmendur të dyfishtë. Është e rrezikshme.

Kështu që ajo çfarë kemi është që kemi njëri-tjetrin në rajon. Kemi dhe BE. Nuk ndryshojmë mendje për të. Kemi edhe SHBA. Do të jemi të fundit që u larguam nga BE.

Ka edhe një shaka që qarkullon.

Eurooptimisti thotë se Turqia do të hyjë në BE kur Shqipëria të ketë Presidencën. Europesimisti thotë që Shqipëria do të hyjë në BE kur Turqia të ketë Presidencën”.