Politika Rama: Nisma për amnistinë fiskale gati për në Parlament

Rama: Nisma për amnistinë fiskale gati për në Parlament

Kryeministri Edi Rama në një komunikim live në Facebook, ka deklaruar se nisma e paralajmëruar disa muaj më parë për amnisti fiskale, tashmë është gati të shkojë në Parlament dhe më pas të mund të miratohet.

Rama e ka quajtur një nismë shumë të rëndësishme, ndërsa ka ritheksuar edhe një herë se afati për depozitimet do të jetë 1 vit, brenda të cilit nuk do të ketë asnjë konsekuencë.

“Një amnisti fiskale e domosdoshme pasi për 30 vjet me radhë ne e dimë mirë se qindra mijëra bashkëqytetarë në emigracion kanë punuar punë të ndryshme dhe kanë plot kursime, që nuk kanë pasur dhe nuk kanë edhe sot ti depozitojnë në banka të gjithë, duke vazhduar edhe me një shumicë dërrmuese në Shqipëri. Po ashtu dhe kompanitë që kanë të ardhura të padeklaruara të cilat ka ardhur koha të kenë mundësi t’i depozitojnë.

Do jetë amnisti gjithëpërfshirëse. Pa diskutim amnistia ndalon riciklimin e të ardhurave nga aktivitete kriminale dhe korrupsioni, që do të thotë se përjashtohen të gjithë ata të cilët janë të dënuar për aktivitete  të caktuara që hyjnë në veprimtarinë kriminale që është subjekt i drejtpërdrejtë i OFL.

Po ashtu përjashtohen të gjithë politikanët dhe zyrtarët e lartë së bashku me rrethin familjarë dhe ata që militojnë në radhët e policisë, gjykatës, prokurorisë apo në radhët e rangjeve të larta të administratës.

Amnistia mendohet të ketë kohëzgjatje prej një viti dhe tre fasha katër mujore. Në të parën detyrimi për të depozituar paratë do jetë 5%, në të dytën 7% dhe në të tretë 10%, por kjo do të diskutohen në proces.

Amnistia do jetë fiskale dhe penale, për këtë periudhë nuk do të ketë në të ardhmen asnjë konsekuencë veç rasteve kur një subjekt ka bërë një vetëdeklarim të rremë.

Kjo ishte nisa që do prezantoja sot”.