Kryeministri Edi Rama është takuar në New York me ministrin e Industrisë dhe Teknologjisë së Avancuar të Emirateve të Bashkuara Arabe, Sultan Ahmed Al Jaber.
Përmes një postimi në “Facebook”, kryeministri Rama bën të ditur se takimi me ministrin Al Jaber është bërë në kuadër të dy projekteve të mëdha të energjisë që po finalizojnë bashkarisht.
Rama thotë se projektet konsistojnë në krijimin e kompanisë së përbashkët të prodhimit energjitik KESH&MAZDAR, e cila do të ketë një portofol të ri investimesh në Shqipëri e në rajon dhe së dyti, ndërtimin e linjës nënujore të transmetimit të energjisë me Italinë, në një bashkëpunim tripalësh Shqipëri-EBA-Itali.
“New York – Me mikun e çmuar Sultan Ahmed Al Jaber, Ministër i Industrisë dhe Teknologjisë së Avancuar të Emirateve të Bashkuara Arabe, për dy projektet e mëdha të energjisë që po finalizojmë bashkarisht, krijimin e kompanisë së përbashkët të prodhimit energjitik KESH&MAZDAR, e cila do të ketë një portofol të ri ambicioz investimesh në Shqipëri e në rajon dhe së dyti, ndërtimin e linjës nënujore të transmetimit të energjisë me Italinë, në një bashkëpunim tripalësh Shqipëri-EBA-Itali”, shkruan Rama në “Facebook”.