Politika Rama: Vendimi për heqjen e titullit për Veton Surroin, lajthitje kolektive

Rama: Vendimi për heqjen e titullit për Veton Surroin, lajthitje kolektive

Kryeministri Edi Rama e cilëson lajthitje kolektive vendimin e Këshillit Bashkiak të Kukësit për heqjen e titullit “Qytetar Nderi” për Veton Surroi. Nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, Rama thotë se Prefekti duhet që ta refuzojë këtë vendim.

“Vendimi i Këshillit të Qarkut të Kukësit për heqjen e titullit “Qytetar Nderi” Veton Surroit është një lajthitje kolektive që uroj Prefekti do ta refuzojë! Ndërkohë parlamenti duhet të ndërhyjë për ta normuar njëherë e mirë çështjen e titujve e të medaljeve”, shkruan Rama.

Sipas kryeministrit, vendimi i Këshillit të Kukësit apo medaljet që jep Presidenti Meta për heronjtë janë absurde dhe kjo gjë duhet rregulluar.

“Ky vend s’mund të jetë një planet më vete brenda botës që e ka sistemuar me kohë e me vakt këtë punë, ku s’ka president që jep medalje për heronjtë e luftrave të shkuara se kështu i thotë koka dhe s’ka këshill që ia heq titullin dikujt me kërkesë të disave! Boll me këtë absurd”, shkruan Rama.