Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, doli në një konferencë për mediat pas publikimit të rezultateve paraprake nga votimet e 9 Shkurtit.
Edhe pse nuk u shpreh shumë i kënaqur me rezultatin, ai tha se AAK ka ruajtur besimin që kishte në të kaluarën dhe do të marrë 9 mandate në legjislaturën e re.
Por i pyetur për një bashkëpunim me partitë e tjera, ai i “mbylli derën” Albin Kurtit, siç në fakt ka bërë edhe gjatë fushatës, ndërsa u shpreh i gatshëm të bashkëpunojë me partitë opozitare.
“Nuk është vetëm çka bën aleanca, por çka bën Kosova. Është në nderin tim të ndihmoj një qeveri të opozitës, asesi të Vetëvendosjes, pra me zotin Kurti”, tha Haradinaj.
Sa i përket bashkëpunimit me partitë opozitare ai tha se e bën këtë pa asnjë kusht.
“Po me kënaqësi kishim bashkëpunuar me subjekte politike opozitare shqiptare për të krijuar shumicën, nëse është e mundur, jemi të gatshëm për këtë, pa asnjë kusht. Nuk do kërkojmë asnjë kusht që pengon me ec përpara. E dimë që nëse krijojmë qeverinë si opozitë dhe është e mundshme dhe shpresoj të ndodhë na presin shumë sfida. Unë nuk i kam mashtruar qytetarët e Kosovës, i kam deklaruar me kohë që e kemi situatën e tillë që duhet ta procedojmë statutin e asociacionit për komunat me shumicë serbe në Gjykatë Kushtetuese edhe pse e kam ditur që nuk marr vota, por duke pasur parasysh zhvillimet globale, veçanërisht zgjedhjet në SHBA unë e di që s’kemi kohë për të humbur dhe pasojat për vendin”, tha Haradinaj.