Sport Rapinoe: Nuk do shkojmë në Shtëpinë e Bardhë, nuk jemi trofe për...

Rapinoe: Nuk do shkojmë në Shtëpinë e Bardhë, nuk jemi trofe për Trump

Megan Rapinoe është kthyer tashmë në një legjendë të futbollit të femrave, pasi është shpallur sërish kampione bote dhe këtë radhë edhe më vendimtare, me 5 golat e saj, ndër të cilët njëri në finalen kundër Holandës, pak ditë më parë.

Fama e 34-vjeçares është rritur jashtëzakonisht edhe për faktin se kapitenia e kombëtares amerikane është një kundërshtare e egër e Donald Trump, me të cilin ka kohë që është armik.

Në të shkuarën Rapinoe ka refuzuar të këndojë himnin amerikan dhe është bashkuar me protestën e nisur nga Colin Kaepernick, i cili ulej në njërin gju gjatë himnit amerikan kur luante skuadra e tij në futboll amerikan, si protestë kundër racizmit.

Rapinoe javët e fundit ka dalë hapur kundër presidentit amerikan Trump, duke deklaruar se nuk ka ndërmend të shkelë në Shtëpinë e Bardhë, edhe pse tradita parashikon që presidenti pret sportistët që fitojnë diçka madhore.

Edhe në një intervistë për CNN, Rapinoe përsëriti qëndrimin e saj, që pritet të jetë i gjithë skuadrës: “Kam folur edhe me vajza të tjera dhe nuk duan të shkojnë atje. Nuk mendoj se ka kuptim të shkojmë, sepse administrata aktuale do e përdorte skuadrën si trofe.

Mesazhi i Trump është një mesazh përjashtimi kundrejt personave si unë”, thotë Rapinoe, mbështetëse krenare e kauzës LGBT. “Ai ka një përgjegjësi të jashtëzakonshme si president për t’u kujdesur për çdo person në Amerikë dhe duhet të punojë më mirë”.

Ndërkohë, Rapinoe ka pranuar ftesën e Kongresit të drejtuar nga demokratët.