Bota Raporti i europarlamentarëve: Krimi i organizuar, pengesë për zhvillimin e Ballkanit

Raporti i europarlamentarëve: Krimi i organizuar, pengesë për zhvillimin e Ballkanit

Krimi i organizuar është një pengesë e madhe për zhvillimin e rajonit të Ballkanit Perëndimor. Në një raport mbi bashkëpunimin në luftën kundër krimit të organizuar, europaralamentarët i bëjnë thirrje qeverive në rajon të shtojnë në mënyrë të konsiderueshme përpjekjet për të çuar përpara reformat në fushën e sundimit të ligjit dhe luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Raporti, i miratuar nga Komisioni i Punëve të Jashtme të martën me 60 vota pro, 4 kundër dhe 6 abstenime, thotë se vendet e Ballkanit Perëndimor janë vende të origjinës, destinacionit dhe tranzitit për trafikimin e qenieve njerëzore, ato shërbejnë si një korridor tranziti për refugjatët dhe si vend për pastrim parash e trafikim të armëve të zjarrit.

Faktorët kryesorë që i bëjnë shoqëritë e Ballkanit Perëndimor të prekshme, thotë raporti, janë: mungesa e mundësive të punësimit, korrupsioni, dezinformimi, elementët e kapjes së shtetit, pabarazia dhe ndërhyrja e huaj nga regjimet jodemokratike si Rusia dhe Kina. Konstatohet gjithashtu mungesë e vullnetit politik për të luftuar krimin e organizuar.