Politika Raportuesi për Shqipërinë në CDU flet për Berishën: Nuk bashkëpunojmë me “persona...

Raportuesi për Shqipërinë në CDU flet për Berishën: Nuk bashkëpunojmë me “persona non grata”

Raportuesi për Shqipërinë në CDU, Peter Beyer vizitoi për disa ditë Shqipërinë ku takoi një sërë përfaqësuesish të partive politike, qeverisë, opozitës dhe diplomatë. Ai thotë se dy çështje kanë qenë në fokus. E para është anëtarësimi i Shqipërisë në BE.

“Shqipëria nuk duhet të jetë viktimë e bllokadës së turpshme të Bullgarisë. Shqipëria tani duhet të ftohet në konferencën e radhës ndërqeveritare si hapi tjetër konkret në procesin e anëtarësimit në BE”, thotë Beyer në një shkrim në Facebook.

Temë e dytë e diskutimeve ka qenë situata në Partinë Demokratike.

“Demokracia parlamentare e Shqipërisë ka nevojë për një opozitë të bashkuar dhe të fortë. Axhendat personale të individëve nuk duhet të luajnë një rol jashtë përgjegjësisë për vendin.

Është e qartë se çdo lloj bashkëpunimi me një “persona non grata” si në nivel kombëtar ashtu edhe ndërkombëtar është i ndaluar që në fillim. Ky është një pozicion i zakonshëm, i pakundërshtueshëm që ne e përfaqësojmë rreptësisht në unison me miqtë tanë në SHBA” – thotë Beyer.