Trajneri i Kombëtares, Edi Reja, foli ditën e sotme në një intervistë të gjatë për “Radio Sportiva” në Itali, në lidhje me aventurën e tij në krye të Shqipërisë, dhe në veçanti për ndeshjet e tetorit.
Trajneri italian i kombëtares ka analizuar situatën në kombëtaren tonë dhe ka folur për emra të veçantë. Marash Kumbulla është në fokus, ashtu sikurse edhe gara për portën dhe Rey Manaj. Tekniku foli edhe për festimin e Turqisë te goli, por nuk është se ëndërron shumë në lidhje me ndonjë masë drastike ndaj kundërshtarëve të tyre në kualifikuese.
HUMBJA NË TURQI – “Shkoi keq për ne në Turqi, pasi në minutën e 90-të humbëm ndeshjen për shkak të një marrëzie. Gjithsesi kemi treguar se jemi një ekip që mund të garojmë me këdo. Jemi një kombëtare në rritje, që ka disa limite. Grupi funksionon dhe ka besimin e tifozëve shqiptarë”, tha Reja.
NDRYSHIMET NË KOMBËTARE – “Duhet të ndryshoja shumë, duke afruar shumë të rinj. Kam aktivizuar edhe Kumbullën e Hellas Verona. Në të ardhmen mund të bëhet një ekip i mirë, edhe pse fatkeqësisht na iku mundësia për t’u kualifikuar në Europian.
Kumbulla ka zgjedhur Shqipërinë, pasi është i lidhur me vendin e tij. Ka luajtur me të gjitha moshat e Shqipërisë dhe prindërit ishin për ta parë. Habitem si Italia nuk e kishte parë. Ata edhe ndoshta e kanë kërkuar, por tashmë ai ka zgjedhur”, shtoi trajneri italian.
PORTA – Reja pranon se do të mendohet për portierin e parë, pas atij gabimi të Strakoshës. Gjithsesi ai i gëzohet faktit që ka në dispozicion dy “gardianë” mjaft të mirë. “Në lidhje me Strakoshën, më duhet ta vlerësoj situatën. Kemi edhe Berishën, ndaj jemi të mbuluar për portën. Është e vështirë të vendosësh. Në fund të këtij cikli do të bëjmë vlerësimet e duhura”, u shpreh tekniku i kombëtares kuqezi.
FESTIMET E TURQISË – Reja thekson se është e gabuar mënyra se si lojtarët e Turqisë po i festojnë golat, por nuk është se pret përjashtimin e tyre: ”Pas ndeshjes kundër Turqisë pamë që u rreshtuan dhe bënë një përshëndetje ushtarake. Ishim të befasuar. Janë gjeste që duhet të censurohen. Pavarësisht gjithçkaje, ata e bënë diçka të tillë edhe kundër Francës. Shpresoj që UEFA të marrë masa kundër Turqisë, që ndoshta do të na kthente ne në rrugën e kualifikimit. Përveç atyre shpresave egoiste që mund të kemi ne, mendoj se do ta kalojnë me një gjobë”.
REY MANAJ – Mes të tjerave, në Radio Sportiva, Reja foli edhe për sulmuesin lushnjar që është pjesë e Albacete në Spanjë. “Manaj po kthehet: më kishin thënë që ishte pak gjaknxehtë, por përkundrazi, po vë re një impenjim të madh dhe jam mahnitur. I kërkoj të sakrifikojë në fushë dhe e bën diçka të tillë, ndaj jam i lumtur. Shpresojmë të vazhdojë kështu dhe të maturohet, pasi është 22 vjeç”, përfundon trajneri Reja.