Sport Reja: Nuk ka vlerë kjo fitore nëse nuk mposhtim Bjellorusinë

Reja: Nuk ka vlerë kjo fitore nëse nuk mposhtim Bjellorusinë

Terreni i stadiumit “Air Albania” nuk e ndihmon shumë Shqipërinë. Pavarësisht fitores 3-1 ndaj Kazakistanit Edoardo Reja u ankua për terrenin e stadiumit të ri të kryeqytetit, ndërsa komentoi rikthimet e Memushajt dhe Cikalleshi, foli për ndeshjen e radhës si dhe për zgjedhjet e tija.

NDESHJA- “Ishim 2-0, goli i pësuar na hapi probleme. E kishim nisur ndeshjen mirë, rikuperuam më pas. Nga minuta e 25-të ky gol na kushtëzoi. Ata morën shumë zemër. Skuadrat u hapën shumë në fushë, u krijua një diferencë mes lojtarëve. Nga pikëpamja fizike ata ishin superiorë, zgjodha në mesfushë lojtarë që e luanin mirë topin, për të pasur superioritet në mesin e fushës“.

MEMUSHAJ DHE CIKALLESHI – “Cikalleshin e njoh dhe na mungoi në ndeshjet e para. Është një lojtar që punon shumë në fazën ofensive dhe shënon. E gjithë skuadra nuk arrin të shprehet maksimalisht për shkak të fushës. Lojtarët më janë ankuar, e kanë të vështirë të bëjnë 2-3 pasime radhazi. E kam të vështirë të them kush ishte më i miri“.

NDËSHJA E RADHËS- “Nuk ka 2 pa 3. Nuk do të vlente kjo fitore, nëse nuk triumfojmë ndaj Bjellorusisë. Duhet të përgatitemi mirë se Bjellorusia është një skuadër shumë më e fortë fizikisht se Kazakistani, duhet të punojmë shumë për këtë ndeshje“.

FORMACIONI TITULLAR- “Këto ndeshjet na kanë ndihmuar shumë. Ka pasur shumë hapësirë për të rinjtë, Selahi, Kallaku, Doka. Kemi aktivizuar dhe lojtarë të tjerë. Në fund fare do të nxjerrim konkluzionet. Edhe në këtë ndeshje do të vazhdojmë siç kemi bërë dhe më pas do të bëjmë vlerësimet. Kemi pasur debutues edhe si Broja, të cilët kanë nevojë për minuta, më pas do të bëjmë vlerësimet”, u shpreh Reja për “Supersport”.