Sport Reja: Para firmës bisedova me Edi Ramën, pse në Shqipëri i duan...

Reja: Para firmës bisedova me Edi Ramën, pse në Shqipëri i duan kaq shumë trajnerët italianë

Në intervistën e gjatë dhënë për Gazzetta dello Sport, trajneri i Shqipërisë Edy Reja ka zbuluar Shqipërinë për lexuesit italianë, duke zbuluar edhe ndonjë kuriozitet, si biseda me Edi Ramën, vështirësitë me gjuhën shqipe dhe më të mirët e kombëtares shqiptare.

Ke firmosur për 6 ndeshje. Po pastaj?

“Pas kualifikueseve do të shohim nëse ekzistojnë kushtet për të vazhduar së bashku”.

Sa shanse keni për të shkuar në Europian?

“Do ta provojmë, do të jetë e vështirë. Do luajmë gjithçka kundër Turqisë”.

Dossena, De Biasi, Panucci, Reja: pse në Shqipëri i duan kaq shumë trajnerët italianë?

“Sepse ndihen pranë nesh dhe e kuptojnë gjuhën tonë”.

A po mëson shqip?

“Njoh mjaft mirë gjuhën sllovene dhe mendoja se aq do mjaftonte, por në të vërtetë nuk kuptohet asgjë, nuk kanë lidhje si gjuhë. Për fat, thuajse gjithë lojtarët flasin italisht dhe kur është nevoja, më ndihmojnë Bulku e Salihi,engjëjt e mi mbrojtës”.

Çfarë ka lënë De Biasi?

“Konsiderohet hero, sepse ka arritur objektivin Europian duke mundur edhe Portugalinë në kualifikuese. Njerëzit nuk e kanë harruar këtë gjë”.

Panucci, shumë keq…

“Nuk e njoh situatën e tij, besoj se ka pasur një qasje të gabuar me ambientin”.

Është e vërtetë që fillimisht ju bindi kryeministri Rama?

“Nuk mund ta them që më bindi, më telefonoi për të më pyetur nëse kisha dëshirë të fillojë një aventurë të re. U njohëm në Romë, kur erdhi të shihte Lazio-Juve: është tifoz i Juves”.

Çfarë vendi është Shqipëria?

“Në rritje të vazhdueshme, një qytet i gjallë, plot kantiere, biznese që lindin. Shumë prej atyre që kishin emigruar janë kthyer në atdhe dhe japin kontribut për zhvillimin ekonomik. Krenaria kombëtare bashkohet me pasionin për futbollin. Ekziston një entuziazëm i jashtëzakonshëm, më kujton Napolin”.

Po futbolli, çfarë niveli është?

“I pranueshëm, problemi është se më të mirët luajnë jashtë. Nuk është e lehtë të bashkosh kultura dhe ide të ndryshme: nga 25 lojtarë në kombëtare, vetëm 3 luajnë në Shqipëri. Megjithatë, stadiumet janë të mira, ashtu si qendra stërvitore në Durrës, ku stërvitet kombëtarja, si dhe stadiumi që po ngrihet në Tiranë. Një xhevahir, i ngjan Juventus Stadium”.

Berisha në stol tek Atalanta, por titullar në kombëtare.

“E ka stërvitur tek Lazio, e di sa vlen. Këtë vit ka bërë ndonjë gabim, por nuk është në diskutim, duke parë që Strakosha do mungojë gjatë për dëmtim”.

Si luan Shqipëria?

“E kam nisur 3-5-2 dhe dy sulmues roli mes Sadiku, Cikalleshi, Balaj e Uzuni. Kam kërkuar më shumë soliditet në mbrojtje”.

Më të mirët?

“Ata që luajnë në Itali, si Hysaj e Veseli”.