Kryesore Rekomandimet e OSBE-së për qeverinë: Rishikoni paketën antishpifje, kufizoni rolin e AMA-s

Rekomandimet e OSBE-së për qeverinë: Rishikoni paketën antishpifje, kufizoni rolin e AMA-s

Një ditë para se paketa antishpifje t’i nënshtrohet diskutimeve parlamentare, përfaqësuesi i OSBE për Mediat, Harlem Desir i ka drejtuar qeverisë shqiptare një sërë rekomandimesh të tjera, si të domosdoshme për të ruajtur lirinë e shprehjes në Shqipëri.

Mbi të gjitha, kërkohet reduktimi edhe më shumë i rolit të Autoritetit të Mediave Audiovizive (AMA): “Është parësore të prezantohet një dispozitë që garanton që të gjitha vendimet e AMA-s mund të apelohen para gjykatës kompetente menjëherë pas miratimit të tyre”.

OSBE kritikon si shumë të larta gjobat ndaj mediave, në rast shkelje: “Gjoba të tilla mund të çojnë në mbylljen e mediave dhe të shihen si presion indirekt. Në përputhje me parimet e proporcionalitetit dhe domosdoshmërisë, sanksionet duhet të miratohen vetëm pasi të merren parasysh për masa dhe kapaciteti ekonomik i mediave në fjalë. Ky artikull duhet të ndryshohet”.

OSBE vëren se pavarësisht kritikave në analizat e mëparshme ligjore, nuk ka pasur asnjë reflektim mbi fuqinë e tepruar që i është dhënë AKEP-it, Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare, për marrjen e masave me qëllim e një hapësirë të gjerë interesash, si interesi i vendit, siguria publike dhe të drejtat themelore: “Këto nocione mbeten të përcaktuara tepër të përgjithshme dhe nuk përfshijnë rregulla specifike se si të sigurohet mbrojtja për lirinë e shprehjes. Kjo është arsyeja pse këshillimi ligjor rekomandon ndryshimin e nenit përkatës të projektligjit”.

Desir i shkruan qeverisë me shpresën që paketa ligjore do të përmirësohet dhe nënvizon se Autoriteti i Mediave Audiovizive duhet të punojë pa ndërhyrje politike: “Unë dhe zyra ime do të monitorojmë AMA me vëmendje të veçantë”, paralajmëron Desir, teksa vlerëson përmirësimet e bëra deri më tani në ligj, veçanërisht me kufizimin e të drejtave të AMA për mbylljen e mediave.

Organizata për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, lirisë së fjalës dhe organizata përfaqësuese të gazetarëve i kanë kërkuar qeverisë të tërheqë dy projektligjet pasi rrezikojnë ta kthejnë Shqipërinë në një vend jodemokratik.