Kryesore Replikat/ Rama dhe Mustafa përplasen për Shengenin Ballkanik

Replikat/ Rama dhe Mustafa përplasen për Shengenin Ballkanik

Kryeministri, Edi Rama është përplasur me liderin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa lidhur me idenë e Shengenit Ballkanik. Për nxitjen e debatit mes tyre ka shërbyer një deklaratë që Rama ka bërë mbrëmë në një interviste për emisionin “Pressing” në televizionin T7, në Kosovë.

“Mustafa nuk është nga ata që i thotë të gjitha gjërat që mendon. Ai ka qenë në shumë takime me mua dhe Hashim Thaçin. Këto gjëra janë dakordësuar, me mua e të, e shumë të tjerë. Ai tregohet tinëzar tani. Mustafa është për Shengenin Rajonal po nuk i thotë të gjitha”, u shpreh Rama.

Pas kësaj, deklarate ish-Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa reagoi duke e përgënjeshtruar dhe thënë se në asnjë rast nuk ka diskutuar me Kryeministrin e Shqipërisë për krijimin e minishengenit gjatë kohës kur mbante detyrën e kreut të ekzekutivit në Kosovë.

“Kryeministri Rama në T7 më cilësoi si politikan tinëzar. Unë nuk dëshiroj ta cilësoj, ashtu siç e meriton, sepse është Kryeministër i Shqipërisë. Por, në asnjë rast nuk kemi biseduar me të dhe me të tjerët për Minishengenin, sa isha Kryeministër. Kemi biseduar për Unionin Doganor të Vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe për Tregun e Përbashkët të këtyre vendeve. Në emër të Kosovës i kam kundërshtuar në të gjitha takimet. I ka kundërshtuar edhe Mali i Zi. Jemi pajtuar në Procesin e Berlinit për Hapësirën e Përbashkët Ekonomike të Vendeve të Ballkanit Perëndimor”, ka thënë Mustafa.

Kjo ka sjellë dhe një përgjigje tjetër të Kryeministrit të Shqipërisë, duke thënë se, kreu i LDK-së ka rënë pre e deformimit të deklaratave të tij në media.

“Ja kështu është kur njeriu bie pre e titujve të deformuar, sepse unë s’e kam thënë e as kam menduar të të quaj “tinëzak”! Ashtu sikundër nuk kam thënë që është folur për “miniShengenin” në tryezat e procesit të Berlinit, përkundrazi e kam shpjeguar qartë edhe këtë. Je i saktë, je pajtuar për “hapësirën e përbashkët ekonomike të vendeve të Ballkanit Perëndimor”! Fiks këtë thashë edhe unë dhe Shengeni Rajonal është fiks kjo, hapësira e përbashkët ekonomike plus lëvizja e lirë e njerëzve, kështu që jemi krejt dakord prandaj ta bëjmë dhe pikë”, shkruan Rama.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama prej disa muajsh ka krijuar një marrëdhënie të tensionuar me liderët politikë në Kosovë. Pas përplasjeve të ashpra me ish-kryeministrin Ramush Haradinaj duke shkuar deri në kallëzim për shpifje, Rama pati dhe një përplasje me Kryeministrin, Albin Kurti në vizitën e parë të tij në Tiranë.

Gjithë debati që Rama ka krijuar me tre liderët në Kosovë kanë si çështje idenë e krijimit të minishengenit në Ballkan, që Kosova e kundërshton pa njohjen e pavarësisë nga Serbia. Por gjithashtu, z. Haradinaj e ka akuzuar se, bashkë me Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi kanë punuar për idenë e shkëmbimit të territorit me Serbinë.