Kulturë Rihapet Koloseu, pret sërish vizitorë pas 3 muajsh mbyllje

Rihapet Koloseu, pret sërish vizitorë pas 3 muajsh mbyllje

Italianët pritën mes emocionesh rihapjen e monumentit më përfaqësues të historisë së tyre. Koloseu antik çeli dyert për publikun për herë të parë pas tre muajsh mbyllje, megjithatë nuk do të jetë ashtu si vizitorët e mbajnë mend.

Pamjet e amfiteatrit të mbushur plot nga mijëra turistë do të mbeten një kujtim tashmë, pasi sipas rregullave të post-kufizimit, një numër i kufizuar prej 200 deri në 300 vizitorë do të lejohen brenda.

Vizitat atje do të lejohen vetëm më prenotime, do të ketë kontroll të temperaturës para hyrjes dhe maskat do të jenë të detyrueshme. Zakonisht, në një ditë qershori si kjo, atraksioni do të ishte pushtuar nga turistët, por tani romakët mund të mahniten të pashqetësuar me simbolin e qytetit të tyre.

Rreth 7,5 milionë njerëz vizituan amfiteatrin 2000-vjeçar në vitin 2019, por në 2020-n, numri i turistëve ra drastikisht si pasojë e kufizimeve për frenimin e pandemisë. Si një prej monumenteve më ikonë të Italisë, Koloseu ka dëshmuar shumë ngjarje historike, e fundit prej të cilave pandemia e Covid-19 që i mori jetën mbi 33 mijë personave në vend.

I ndërtuar nga Perandori romak Vespasiani, amfiteatri mund të priste deri ne 50 mijë spektatorë të cilën shihnin përballjet e gladiatorëve dhe në disa raste ekzekutime. Në prag të rihapjes në 1 qershor, ndërtesa antike u vesh me ngjyrat e flamurit Italian.