Aktualitet Rinisja e udhëtimeve të pasagjerëve përmes detit: Çfarë po diskutohet me Italinë

Rinisja e udhëtimeve të pasagjerëve përmes detit: Çfarë po diskutohet me Italinë

Drejtori i Përgjithshëm i Autoritetit Portual Durrës, Pirro Vengu deklaroi se qeveria shqiptare dhe ajo italiane po diskutojnë lidhur me mundësitë e hapjes së transportit të pasagjerëve përmes detit dhe se APD ka gati dy skenarë.

“Rinisja e lëvizjes së pasagjerëve do të bëhet në bashkëpunim të ngushtë me autoritetet italiane. Dy qeveritë po punojnë për një datë konkrete për udhëtimet me pasagjerë”, deklaroi Vengu në një intervistë në media.

Vengu nënvizon se rikthimi në normalitet nuk nënkupton pakësim të masave mbrojtëse.

“Masat e sigurisë shëndetësore dhe mbrojtjes personale duhet të vazhdojnë për një kohë të gjatë. Kjo mund të sjellë për pasojë kohë më të zgjatur për përpunimin e trageteve, për procedurat doganore, policore etj. Rikthimi në normalitet nuk nënkupton një ulje të masave mbrojtëse, përkundrazi”, tha Vengu.

Fundi i muajit maj, në vitet e kaluara, përkonte përherë me nisjen e fluksit të pasagjerëve në portin më të madh në vend për shkak të kthimit të emigrantëve pranë familjeve të tyre apo për të pushuar në bregdetin shqiptar.

Porti i Durrësit përgjatë të gjithë periudhës së pandemisë është porta kryesore për shkëmbimet e mallrave dhe gjithë proceset e punës janë kryer nën masa të shtuara të sigurisë shëndetësore, për të garantuar shëndetin e qytetarëve dhe transportuesve.