Kryesore Ristani, kritika Bashës: Ku gaboi PD me bojkotimin e zgjedhjeve

Ristani, kritika Bashës: Ku gaboi PD me bojkotimin e zgjedhjeve

Arben Ristani ka qenë i ftuari i emisionit ‘special’ në “Real Story” të gazetarit Sokol Balla. Ish-sekretari i PD-së, një nga ish-njerëzit më të afërt të Lulzim Bashës, ka treguar se tashmë askush  në Shqipëri nuk është i kënaqur me situatën në vend.

“Askush në këtë moment nga opozita nuk mund të jetë i kënaqur, por unë shoh që dhe shqiptarët nuk janë të kënaqur sepse nuk jetojnë më në një vend normal. Nuk kanë më një politikë normale, një ekonomi të mirë, po largohen nga vendi çdo ditë. Shqipëria është në krizë dhe do zgjidhje. Patjetër që pesha e madhe sigurisht është e Qeverisë, sepse ajo ka detyrimin kryesor që të sigurojë normalitetin në vend. Por edhe opozita ka pjesën e saj në këtë përpjekje për ta çuar Shqipërinë drejt Europës që kemi ëndërruar prej vitesh tashmë”, tha Ristani.

Lidhur me aksionin e opozitës, Ristani u shpreh se gjithçka ishte e menduar, por ajo që nuk dinin ishte reagimi ndërkombëtar. Sipas Ristanit, vendimmarrja e Bashës për të bojkotuar zgjedhjet e 30 qershorit, duhet të kishte informacion se çfarë mendimi kishin ndërkombëtarët për këtë. Sipas Ristanit, ajo që rezultoi më pas, ishte se PD rrezikoi të shpallej ‘organizatë e dhunshme’.

“Më pas ky veprim u shoqërua me një vendimmarrje për të mos hyrë në zgjedhje me Ramën kryeministër. Në këto kushte kryetari i partisë ka pasur informacionin më të madh, dhe u besua se diçka e tillë do të ishte dhe e dakordësuar, për të arritur në qëllimin final. Ajo që ndodhi ishte se rrezikuam dhe të shpalleshim organizatë e dhunshme. Si përfundim u krye maskarada e zgjedhjeve, pasi ato nuk ishin zgjedhje. PD tashmë humbi veç pushtetit qendror dhe atë lokal. Jemi përpara një pasoje të tmerrshme në politikë. E gjithë e djathta, dhe aleatët, dhe një pjesë e shqiptarëve që besojnë te PD, mbetën të papërfaqësuar, qoftë në pushtet qendror, qoftë në pushtet lokal”, tha Ristani.