Aktualitet Rivlerësimi i pronave, shtyhet afati

Rivlerësimi i pronave, shtyhet afati

Afati rivlerësimit të pronave me taksa të zbutura do të shtyhet deri më 31 maj.

Ministria e Financave ka vendosur t’u japë më shumë kohë individëve dhe bizneseve për të rivlerësuar apartamentet apo pronat e tjera që disponojnë me çmimet e tregut, për të ulur barrën fiskale që duhet të paguajnë në rast shitjeje të tyre.

Sipas legjislacionit tatimor, shitja e një prone i nënshtrohet taksës 15 për qind, e cila llogaritet mbi diferencën mes çmimit të shitjes dhe atij të blerjes.

Pra, nëse një individ e ka blerë një apartament 50 mijë euro para disa vitesh, por e shet atë 70 mijë euro, atëherë ai duhet të paguajë një taksë 15 për qind mbi diferencën prej 20 mijë euro.

Meqënëse shumë prona në Shqipëri janë blerë në kohën kur çmimet ishin më të ulëta, Ministria e Financave miratoi një udhëzim, i cili i jep mundësi qytetarëve apo biznesit që t’i rivlerësojnë këto prona me çmimet aktuale duke paguar një taksë jo më 15 për qind, por vetëm 2 për qind.

Udhëzimi ka hyrë në fuqi më 1 shtator të vitit të kaluar dhe përfundonte në fund të muajit shkurt. Por burime nga Ministria e Financave thanë se për shkak të fluksit të rivlerësimit që vazhdon të mbetet i lartë, afati i tij do të shtyhet deri më 31 maj.