Sport Ronaldo e telefonon, ky është projekti i Juventusit për Marcelon

Ronaldo e telefonon, ky është projekti i Juventusit për Marcelon

Në Madrid mund të konsiderohet si i fundit i Mohikanëve. Në kuptimin që, pas largimit të Cristiano Ronaldos, ai mbeti lojtari i vetëm në skuadër, që nuk ishte “punësuar” nga Florentino Perez. Braziliani arriti në “Santiago Bernabeu” në vitin 2006, tri vite para portugezit, që të dy të blerë nga Ramon Calderon.

Dhe, ashtu si CR7, që u ftoh me presidentin Perez, hap pas hapi, në një përplasje egosh të vështira për t’u menaxhuar, edhe braziliani duket se ka përfunduar në hije, çka mund të çojë në divorc mes palëve, pas këtij sezoni. Kjo do të sillte edhe përfundimin e një “epoke”.

Marrëdhëniet mes Marcelos dhe Ronaldos janë tepër miqësore, kjo nuk përbën asnjë sekret. Natyrisht, ky raport ka pasur majat dhe “humnerat” e veta, por gjithmonë ka mbetur e fortë, shumë e fortë. Fjalët e ngrohta të Marcelos në rastin e lamtumirës së yllit portugez nga Real Madridi bënë që menjëherë, emri i tij të lidhej me Juventusin.

Një kombinim që, sado i komplikuar të duket, ngadalë po shndërrohet në një hipotezë reale. Kjo, për shkak se në klubin bardhezi janë bërë llogaritë dhe është parë se operacioni “Marcelo” mbetet ekonomikisht i qëndrueshëm, pavarësisht pranisë së një klauzole prej 200 milionë eurosh.

Nuk është e besueshme të mendosh se Real Madridi s’do të heqë dorë nga kjo shumë për anësorin brazilian, sepse Marcelo nuk e gëzon më statusin e të paprekshmit, si në të kaluarën. Më e besueshme duket mundësia e blerjes për rreth 60 milionë euro (neto), një shifër që Juventusi mund ta përballojë, së bashku me një pagë prej 12 milionë euro (neto) në vit.

Bardhezinjtë janë gati t’i ofrojnë kontratë 4-vjeçare brazilianit, duke llogaritur një zë rreth 38 milionë euro në buxhet. Një kosto që do të “flijonte” Alex Sandro, lojtar për të cilën Real Madridi ka qenë gjithmonë i interesuar. Mbrojtësi i majtë në fjalë sapo ka rinovuar (deri në vitin 2023) me Juventusin, me një kontratë prej 5 milionë euro në sezon, plus bonuse.

“Zonja e Vjetër” e bëri këtë, sepse beson tek Alex Sandro, i cili po rritet këtë sezon, duke u rikthyer në nivelet e shkëlqyeshme të vitit debutues. Po ashtu, e bëri këtë që ta menaxhonte më mirë mbrojtësin e majtë në merkato, sepse ai pëlqehet nga emrat e mëdhenj në Europë (jo vetëm Real, por edhe Manchester United).