Është një prej aktoreve më në zë të Hollivudit, por Sharon Stone rrëfen se pas hemoragjisë cerebrale që e goditi në 2001-shin, iu deshën plot 7 vite të merrte veten dhe parajsa e filmit, e harroi.
“U trajtova me një mungesë brutale dashamirësie”, thotë diva e ekranit në intervistën e dhënë, për revistën “Variety” gjatë një eventi mbi rritjen e ndërgjegjësimit mbi shëndetin e trurit tek gratë.
Goditja cerebrale e 61 vjeçares kishte qenë e rëndë; hemoragjia sipas saj, pat vazhduar për 9 ditë.
“Njerëzit më trajtuan shumë keq, madje edhe gra që më rrethonin”, kujton Sharon; “mendoj se nuk arrijnë ta kuptojnë plotësisht sesa e rrezikshme mund të jetë kjo situatë, për femrat dhe sa shumë kohë kërkon rikuperimi. Mua m‘u deshën vite të tëra!”
Një dekadë përpara këtij episodi, Stone kishte kapur majat e famës me rolin e protagonistes në thrillerin “Basic Instict”, e më vonë fitoi një nominim për Oskar, me interpretimin në filmin e Martin Scorsese, “Casino”.
Por pas sëmundjes e lanë në harresë.
“Më shpëtoi një kontratë e “Dior-it” në 2005-sën”, shprehet aktorja e famshme, e cila pavarësisht vështirësive ka vazhduar të mbetet mjaft aktive, e së fundmi është shfaqur në serialin Mosaic të HBO-së.