Sport Rrëfimi i Panuçit: I lumtur në Shqipëri. Sonte bëj tifo për Juven

Rrëfimi i Panuçit: I lumtur në Shqipëri. Sonte bëj tifo për Juven

Kristian Panuçi bën tifo për Juventusin, por nuk pozicionohet për derbin e Milanos. Trajneri i Kombëtares shqiptare ka dhënë një intervistë të shkurtër për mediat italiane, teksa tregon se Roma nuk e kontaktoi kurrë dhe se fokusi i tij për momentin janë eliminatoret e Europianit me Kombëtaren shqiptare. Trajneri tregon se është i lumtur në Shqipëri dhe do të zbatojë kontratën që e mban të lidhur me kuqezinjtë.

ROMA

“Nuk më ka kontaktuar kurrë. Kam dëgjuar disa zëra për emrin tim, por asnjë telefonatë. Ranieri ishte trajneri i duhur në këto momente, sepse e njeh ambientin. Është mjeku i duhur për të shëruar skuadrën dhe ka eksperiencë të madhe. Roma ka forcë për të dalë nga ky moment i vështirë ku është futur”.

JUVENTUSI

“Ka një shans të artë dhe shumë mundësi për ta përmbysur ndeshjen. Është ekip i fortë dhe nëse bën një gol të shpejtë, ndeshja do të bëhet e bukur. Sfida e parë nuk ishte e duhura, por Juventusi mund të bëjë diçka historike për futbollin italian. E uroj dhe shpresoj që t’ia dalë. Simeone? Ai di t’i japë karakter skuadrës së tij, por Juventusi duhet të shfrytëzojë çdo situatë për t’u bërë keq spanjollëve”.

DERBI

“Është një ndeshje e veçantë dhe e bukur. Milani vjen në formë më të mirë në këtë ndeshje, por ndodh ndonjëherë që “bisha e plagosur” të ringrihet. Nuk di kë të zgjedh si skuadrën favorite. Ikardi? Interi dhe ai u vendosën vetë në vështirësi. Nëse do ta dinim se çfarë ka ndodhur realisht mund të jepnim një ide, por sigurisht që të gjithë po humbasin nga ky moment”.

SHQIPËRIA

“Jam shumë i lumtur aty dhe kam kontratë deri në nëntor me një federatë shumë serioze, pastaj nuk e di çfarë do të ndodhë. Por, unë nuk bëj llogari në zgjedhjet e mia, zgjedh instinktivisht. Është një punë që më pëlqen shumë dhe tani jam i përqendruar maksimalisht tek aventura në kualifikueset e Europianit. Nuk mendoj për asgjë tjetër”.