“Narcotica”, emisioni italian që ka hetuar rrugën e drogës drejt Italisë, në dokumentarin e tretë të transmetuar mbrëmjen e djeshme, është marrë me Shqipërinë. Prokurori i antimafias Nicola Gratteri tregon për Rai3, se një e treta e Shqipërisë është e mbjellë me kanabis.
“Vetëm në një goditje kemi kapur 9 ton kanabis në Otranto”, tregon Gratteri. Por sipas tij, grupet kriminale shqiptare janë forcuar shumë.
“Me kanabisin, shqiptarët sjellin në Itali edhe kokainën. Drogën e fortë shqiptarët shkojnë dhe e marrin vetë në Amerikën Latine”, tregon prokurori i antimafias, duke folur për dokumentarin ‘Narcotica’.
Gazetari italian shprehet se mafia shqiptare tani nuk merret vetëm me trafikun e kanabisit, por edhe atë të drogave të forta, si kokainë, që e marrin në Kolumbi dhe e sjellin në Shqipëri.
Prokurori italian që ndodhet në Shqipëri, Francesco Mandoi, ka treguar për ‘Narcotica’ se si një hetim i nisur nga drejtësia italiane ka bërë të mundur bllokimin e një sasi prej 14 mijë kilogramë kokainë që ishte bërë gati në Venezuelë dhe do të sillej në bazën e Porto Palermos në Shqipëri, me nëndetëse.
“Me hetimin tonë ne bëmë të mundur që të shkatërronim një organizatë që kishte bërë një plan të detajuar që të vinte në funksion bazën e nëndetëseve në Porto Palermo për të sjellë kokainën në Shqipëri me nëndetëse, duke e marrë në Amerikën Latine”, është shprehur prokurori Francesco Mandoi.
Ndërsa një tjetër punonjës i Guardia di Fincanca italiane në Shqipëri, është shprehur për ‘Narcotica’ se vetëm në 3 muajt e parë të vitit 2019 janë arrestuar dhjetëra shqiptarë që kanë bërë trafik droge në Itali. Shqipëria është damkosur tashmë nga disa media ndërkombëtare, si një “narkoshtet” në Evropë.
Dokumentari nis me Lazaratin, ku gazetarët e konsiderojnë ende si qendra e kultivimit të marijuanës, pavarësisht se kjo zonë prej kohësh nuk është më e tillë.
“Lazarat është një fshat i vogël në zemër të Shqipërisë që konsiderohet prej kohësh qendra e kultivimit të marijuanës, skena e operacioneve masive të policisë dhe përplasjeve të armatosura”, thuhet në dokumentar.
Programi fillon nga Lazarati për të treguar historinë e Shqipërisë, një nga vendet kryesore prodhuese të marihuanës, por mbi të gjitha, tokës së një prej mafiozëve më të egër dhe të rrezikshëm në zhvillim në botë që lufton me ‘Ndraghetan”, kontrollin e rrjedhës së kokainës nga Amerika e Jugut dhe kontrollon ‘opiumin’ dhe heroina që kalojnë Ballkanin nga Afganistani. Prokurori Gratteri dhe koloneli D’Angelantonio del Ros i Karabinierëve tregojnë për hetimet për klanet shqiptare dhe bashkëpunimin me Prokurorin Francesco Mandoi i cili jeton në Tiranë për të koordinuar hetimet.