Gruaja simbol e viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, Vasfije Krasniqi, ka dëshmuar para Komitetit për Marrëdhënie të Jashtme të Kongresit Amerikan tmerrin që e ka përjetuar nga forcat serbe.
Ajo e shpalosi historinë e saj të trishtueshme kur ishte vetëm 16-vjeç, një rrëfim i cili përloti edhe disa kongresmenë të njohur.
“Dua t’ju falënderoj që ma dhatë nderin që tregimin tim ta ndaj me ju”, e nisi ajo fjalën e saj.
“Më 14 prill, kur isha 16-vjeçe, një polic hyri në shtëpinë tonë dhe po e kërkonte babanë dhe vëllezërit e mi. Unë isha me nënën time. Ata na kërkuan letërnjoftimet. Pasi që e pa letërnjoftimin tim e mbajti dhe më tha të shkoj në stacionin policor e të jap deklaratë për burrat e shtëpisë. Në atë moment axha e pyeti se ‘pse po e merr vajzën’, ndërkaq polici i tha ‘mos lëvizni se do t’ju vrasim’. Nëna ime i tha ‘më merrni mua’, por ata i thanë ‘jo, se ajo është fëmijë dhe nuk është në gjendje të gënjejë se ku e ka babanë dhe vëllezërit’.
“Polici më mori dhe më dërgoi në një shtëpi dhe më hodhi në dysheme. Unë fillova të bërtas, e ndërkaq ai filloi të më dhunojë. Isha nën tytën e pushkës. Më keqtrajtoi. Më dhunonte dhe humba vetëdijen. Kur më erdhi vetëdija i kërkova të më vriste, por ai më tha ‘jo sepse kështu do të vuash më shumë. Dhe pati të drejtë. Më kujtohet që e kishte dorën e plagosur dhe tha se po merrte hak nga unë meqë sipas tij e kishte plagosur UÇK-ja.
Pasi me dhunoi, më la në një shitore aty afër dhe nuk guxova të bëj lëvizje sepse ishte fshat i banuar me serbë. Më pas më nxori nga vetura dhe më dërgoi në atë shtëpi dhe më dhunoi edhe një plak. Pastaj më lanë në fshat në rrugë. Eca në varrezat e fshatit sepse nuk doja të kthehesha në shtëpi.
Ata më mësonin edhe çfarë t’u them në shtëpi – të them që kam qenë në stacion policor për të dëshmuar.”
Kur shkova në shtëpinë e axhës, ata më panë dhe nuk kanë pasur nevojë të më pyesin duke më parë edhe në çfarë gjendje fizike isha.
Pastaj e raportova rastin në Kombet e Bashkuara, pastaj në EULEX. Kryerësit e krimit janë identifikuar por tani pas 20 vjetësh ata nuk kanë dhënë llogari për atë që më kanë bërë. Janë të lirë.”
Gjithçka që unë dua është drejtësia.
Sot jam nënë e dy vajzave dhe ua them atë çfarë unë kam kaluar dhe nuk do të jem në paqe deri sa të shoh drejtësinë. Kërkoj përndjekjen e kriminelëve duke marrë veprime imediate që do të ishte drejtësi për të gjithë të mbijetuarat”, rrëfeu Vasfija në Kongresin Amerikan.
Rrëfimi i saj i parë në publik u bë në dhjetor të vitit të kaluar, dhe që atëherë kosovarja kurajoze ka ngacmuar përlotje te jo pak njerëz.
Ajo ka rrëfyer përkrahjen që ka gjetur te familja e ngushtë dhe bashkëshorti amerikan, i cili ka vendosur t’i qëndrojë krah pas deri në zbatimin e drejtësisë së mohuar.