Kulturë Rreth vëllimit poetik “Të paktën, pak!” e poetit, shkrimtarit dhe botuesit të...

Rreth vëllimit poetik “Të paktën, pak!” e poetit, shkrimtarit dhe botuesit të njohur, Pjetër Jaku

Nga Raimonda Moisiu

Poezia është shprehja e një ndjenje të fortë emocionesh që prek njerëzoren dhe dinjitetin përmes artit e të shprehurit në vargje, emocione këto të njehsuara me faktorët natyrorë, fizikë dhe njerëzorë me përvojat jetësore, dhimbjen e dashurinë, madje edhe paradokset social-economike-politike. Në poezi, poetët e shohin veten si vizionarë të vetmuar, që me gjallëri fizike e mendje të shëndetëshme u japin kuptim emocioneve përmes vizionesh analoge. Poetët nuk kanë drojë, ata janë të guximshëm, kurajozë, egoistë dhe ambiciozë në eksplorimin e patundur të unit poetik dhe grishjes së ideve që i lejon ata të eksplorojnë të gjitha aspektet e jetës nën këndvështrimin idealist me të mirat, dobësinë dhe zymtësinë e tyre, në përpjekje për të sfiduar atë që pritet prej tyre si poetë.

Kam në dorë vëllimin me poezi të titulluar “Të paktën, pak! – të shkrimtarit, poetit, publicistit dhe botuesit mjaft të njohur të revistës “Kuvendi” në ekzil, -Pjetër Jaku.

Në këtë vëllim poetik, poezia e Jakut shpërfaqet e drejtpërdrejtë, brenda përshkrimit realist në favor të imazheve sugjestive që jo vetëm kanë për qëllim të nënkuptojnë statusin e poetit Pjetër Jaku si një individ unik, porse evidentojnë pasionin dhe identitetin e traditës poetike të vendlindjes, Mirëditës, i përkundur, rritur dhe formuar në Lezhë e njohur si “djepi i poezisë”.

Vëllimi poetik “Të paktën, pak!” vjen si një fabrikë vargjesh të shtruara e të përmbajtura, jashtëzakonisht ironike, autoironike dhe liri-vepruese, ku dominojnë idetë themelore origjinale, filozofike, lirike, artistike, meditative, elementet mitike, folklorike, përshkrimi i peisazheve të natyrës dhe vendlindjes së poetit.

Një nga konstatimet më me vlerë në poezinë e Jakut është reflektimi në mënyrë realiste, vitale dhe humane, ai zgjedh metafora dhe fjalë me figuracion të pasur artistik e filozofik, dhe na jep krizën shpirtërore të vetes dhe shoqërisë në të përditshmen njerëzore dhe sociale, të cilat i percepton me solemnitetin “e shpresave të diellta” të një shpirti të trazuar dhe optimist, mallit për vendlindjen, atdheun dhe njerëzit.

“Në të gjitha tokat e pambjella të Mollës së Kuqe,/do të hedh farën e shpresave të diellta,/ku ujqërit, gjarpërinjtë dhe korbat të tremben!”

Personifikimi i “ujqërit, gjarpërinjë dhe korbat” simbolizon imazhet dramatike, mungesën e shpresës, dhimbjes dhe vuajtjeve, ndërsa “të dielltat” simbolizon jetën dhe shpresën për njerëzit drejt një fillim të ri.

Metaforat e Jakut janë të nënvlerësuara pa kompromis dhe vargjet e tij ndjejnë nevojën për t’u rebeluar përkundrejt paradokseve sociale, dhe poeti vargëzon në një “lutje egoiste” për dritë, qetësi dhe kthimin e çdo burimi drite në vetë normalitetin e tyre: “Pishave dhe lisave të heshtur që po rriten në ara./Do u kërkoj të ngjiten gjer në majë të Munellës,/Që toka të jetë, vetëm burim drite!”

Në të vërtetë, një numër i poezive në këtë vëllim poetik, janë ndërtuar në mënyrë eksplicite si “lutje”, megjithëse jokonvencionale. Ka poezi që poeti Jaku ka shmangur skemat e rimës dhe elementët e tjerë tradicionale poetike, ai deklamon idetë nëpërmjet vargut të lirë, tingujve lirikë dhe artistikë, natyrën e vërtetë të dashurisë, filozofisë për jetën dhe vazhdimësisë së saj.

Në emër të njerëzores poeti Jaku shpërfaq më tepër përmbajtje dhe zbulon fuqinë transformuese të poetit për të nënshtruar të zakonshmen në jetën e përditshme, poeti harron pasionet dhe premton se në rast se:

“Më bëni Qytetar-Nderi në fshatin tim të braktisur,/për të gjithat kullat e mbetura vejane,/që unë t’u pri përjetësisht maleve…”

Poezia e Jakut është në vetvete një ndërthurje ikonoklastike e tradicionales që gjen mallin, dhimbjen dhe bukurinë e vërtetë për atdheun përmes temave emocionale dhe stilit expresiv, madje disa herë tronditëse ndaj konceptit të dukëshëm të tematikës së tyre brenda strukturës tradicionale. Jaku përdor njehsorin në mënyrë mjeshtërore dhe novatore, shpesh për të imituar të folurit natyror dhe gjeografik, i cili tenton ta përdorë natyrën si një trampolinë ndaj gjendjes shpirtërore: “Kapuc alpet në Veri,/Vënë mbi krye të kalasë,/Vërshojnë Drinat Bardhë e Zi,/Të na dhurojnë dritë prej krahësh!/Shkupi clodhet në Rozafë, Kokën vënë mbi bubullima,/U thotë syve të Kalasë,/Të udhëtojnë nga Prishtina!”(Poezia “Shqipëria”, fq.53) Në këtë mënyrë, Poeti Jaku është në gjendje të na tregojë se ai vërtet e zotëron poezinë tradicionale, porse nuk është më i nënshtruar ndaj saj, ashtu siç demokracia i ka dhënë fund nënshtrimit të individit, andaj poeti i adresohet lexuesit drejtpërdrejt përmës një prologu poetik-historik: “Shpejt e zgjon Marin Barletin,/Ta cliroj që sot Kalanë!/Vjen Prizreni vetvetiu,/T’i mbledhë burrat në Rozafë,/Aty ku ëndrra u ngriu,/Do vijë Gjergji t’i bëjë bashkë!/Camëria në krah tjetër,/Ngjit me të dhe Manastiri,/Vijnë në Shqipërinë e vjetër,/Prej aty ku ish kufiri!” (Poezia “shqipëria”,fq.53)

Jaku zhbiron kontradiktat e ekzistencës njerëzore, të reales dhe mitikes, të cilat mund të gjenden edhe tek elementet që shoqëria i konsideron të bezdisshme dhe të pakëndshme. Intelektualisht elitist, me mençuri e sarkazmë, poeti Jaku synon të fuqizojë veten, shpirtin frymëzues, forcën lëvizëse të marrëdhënieve njerëzore, realitetin dhe natyrën e brendshme të eksperiencave jetësore, si edhe të gjithë ata që kanë dyshuar në aftësitë, forcën, bukurinë, inteligjencën apo vlerën e tyre. Këtë ai e qartëson përmes vargjeve: “Edhe pse mund të lind në dimër,/Duhet pranverës së tij,/Dhe syve të kohës,/T’i harmonizoj vitet me/Rritjen e krahëve,/Duke e zmbrapsur stuhinë,/Në stinën e dallgëve.”(Poezia,”Stinët e njeriut” fq.121)

Pjetër Jaku është një poet ekstatik dhe i vërtetë në damarin e idhujve të tij, ku përfshihen Gjergj Fishta dhe Ndoc Gjetja. Ideja e përdorimit të poezisë në rrafshin natyror, gjeografik dhe historik ofron një vision të gjerë emocional, dinamik dhe filozofik në bazë të diversitetit dhe vlerave morale, për të kapërcyer sfidat historike, politike dhe sociale.

Titulli i këtij vëllimi poetik: “Të Paktën, pak!” është metaforë alegorike meditative, dhe lirike, e përdorur me mjeshtëri artistike dhe filozofike, secila strofë mbart në vetvete forcën e harmonisë e të dashurisë njerëzore, për të na rrëfyer fizionominë e realitetit; “Të paktën më dërgo pak qetësi,/ Këtë natë bubullimash pa shkak,/Një tufë me fjalë të ëmbla m’i dërgo,/ Të paktën,pak!” – apo për të shprehur shqetësimin dhe imazhet dramatike, intensitetin emocional në lidhje me humbjen e shpresës dhe pesimizmit përkundrejt konseguencës së mendimit varg pas vargu, dhe përballjen e natyrës së vërtetë të dashurisë, filozofisë për jetën dhe me jetën. Poeti Jaku është në gjendje të komunikojë lirshëm me ton romantik dhe të krijojë humor të ngjashëm me “vetëtimën dhe puthjet” për pak dashuri dhe bukurinë e saj: “M’i nis dy tri vetëtima si të tuat,/ I meritoj dy tri puthje i kam hak,/ Dy, tri shpresa i pres sonte,/Të paktën, pak!/

Te strofa e fundit e poezisë “Të paktën, pak!”

poeti ndërrmerr një ton të fortë dhe të vendosur gjatë vargëzimit, duke trajtuar pikat e forta dhe

përpiqet të thyejë “prangat” të cilat përpiqen të dominojë pushtetin e medias dhe zërin e lajmit

të kronikës së zezë dhe atij të zakonshëm: “Ma nis një lajm të mirë nga Shqipëria/ Jo veç fyerje, vrasje e gjak,/- është kushtrimi ndaj shoqërisë që përfaqëson zërin e poetit dhe të një komuniteti në ekzil, në tërësi: “Çdo kush si unë pret më tepër,/Por, të paktën pak!”- duhet të ndjehen të frymëzuar, të gëzuar, durim, qetësi, dhe paqe shpirtërore.

Struktura e kësaj përmbledhje poetike përkufizon përpjekjet dhe pikëpamjet e tij si pozitive dhe ato negative për të zbuluar deri në ç’ekstreme mund të arrijë vetë-dija njerëzore dhe farsat sociale, të përjetuara këto mes vargjeve me vizion meditativ. Secila poezi përfaqëson zërin e poetit dhe të komunitetit, shoqërisë dhe njerëzve që e rrethojnë, dhe vetëdija e poetit monologon me fluksin e ndjenjave të tij/të tyre përmes hyjnores e njerëzores, natyrës e shpresës, të lidhura me subjekte të rëndësishme në të përditshmen njerëzore.

Poeti Pjetër Jaku mendon se më tepër fokus duhet të vendosë te besimi i tij; “I lutem besimit tim,/ Të besojë,/-ndaj njeriut të sotëm dhe shoqërisë në të cilën ai jeton e punon: “Se vetja e tyre do t’u japë,/pak më shumë forcë,/Pak më shumë dije,/Pak më shumë ndjenjë!”,- dhe jo në atë që “Ligësitë e mbarsura me errësirë,/T’i kenë me emër jo të rremë…/”

Jaku demonstron mjeshtërisht dualitetin me brengë e trishtim, gjuhë të figurshme e letrare, me ton qytetar dhe intelektual drejt artit të fjalës nga njëra anë dhe misionit për të transmetuar filozofinë ndaj jetës nga ana tjetër, poeti identifikon tensionin qëndror të fabulës, “Burracakëri”-në , ç’ka ai deklamon atë që “vetja e tyre” duhet të besojnë e sfidojnë me “Pak më shumë forcë/dije/ndjenjë..” për të kapur risinë e së panjohurës. (Poezia “Burracakëri”, fq.63).

Me fjalë të tjera, poeti Jaku zbulon shtigje e gjetje poetike, mediton e monologon; “Ajo vajza që ish prej fryme,/E që kish sy prej ajri,/E ndaloi moshën time,/Ditën që e pashë së pari!” Poeti përshkallëzon intensitetin e ndjenjave me epitete, krahasime dhe metafora dhe ndez zjarrin brenda shpirtit të tij, nën vëzhgimin e hollë e të detajuar të: “Ajo vajza, që u bë ndjenjë,/T’më lëvizë nëpër damarë,/E frenoi kujtesën time,/Një shkëndi e ndezi zjarr!”, – vargje që nënkuptojnë dashuri dhe besnikëri, temperamentet e emocioneve individuale, të gjalla e të paharrueshme.

“Fluturoja gjer ku shkonte,/Fantazia në atë moshë,/Nuk u lodha,/As nuk u lodhte,/Si një lumë që rrjedh në kohë.”

Me sinqeritet, ciltërsi, romantik dhe i drejtpërdrejtë i ndjenjës së dashurisë me afshin dhe vrullin rinor, përmes shpirtit poetik në vargjet më sipër, Jaku përzgjedh enkas figurat letrare të goditura e të lakmueshme dhe me saktësi lirike argumenton vecorinë për t’u rrëfyer te lexuesi: “Më dha një prekje, s’duhej tjetër,/Për t’u dridh planet i tërë,/Emrin tim shejtërisht të vjetër,/Bashkë me vitet po ma merr.” , dhe reflekton personalitetin e maturuar poetik të tij përmes forcës krijuese artistike të evokuara nga virtuoziteti, kujdesi human, pasioni dhe ndjenjat e furishme të rinisë.

Pjetër Jaku përdor disa teknika poetike dhe lloje të ndryshme të gjuhës figurative (në vargje), që përfshijnë anaforën, aliterimin, dhe vazhdimin e një fjalie përtej fundit të një vargu, cift vargjesh, strofe, dhe përqasje.

Një nga poemat më të njohura të Pjetër Jakut është poema “Diktatori”, që vjen si epigraf i shpirtit intelektual, qytetar e protestues, tronditës, interesant dhe krejt i vecantë si temë që deri më tani nuk është trajtuar në letrat shqipe dhe në letërsinë artistike, epigrafi i zërit sarkastik të poetit për të thënë të vërtetën.

Diktatori arriti deri në atë pikë ku “fytyra dhe shpirti i tij” u shndërruan në një mendësi egoiste dhe të pamëshirshme: “Monark me fytyrë të patinuar, me pabesi shpellash,/Monstër ogurzezë për vendin e tij,/Pa miq, pa shokë, pa ndjenjë./Metamorfozë e keqe,/e një ndryshimi të madh,/amplitudë e ndrydhur,/e një koke gjeometrike,/ që do u shërbente, vetëm vitheve!

Poeti Jaku ka zgjedhur një stil të shkëlqyer, ekspresiv, delikat, therrëse e kapricioze, sa që fabula kryesore poetike e poemës është vetëfuqizim i zërit sarkastik dhe këmbëmgulja e poetit për të thënë të vërtetën përkundrejt padrejtësisë. Gjatë gjithë poezisë vetë poeti i drejtohet “Diktatorit”, i cili përfaqëson; “Simbiozë e së keqes molekulare,/ Që se deshi diellin,/ duke pohuar dritë/.” dhe përtej çdo gjëje; “Me pabesi makbethiane,/Me tërmete të gjunjëzuar,/Me një urrejtje fotosintetizuese,/Të trekëndëshit biologjik të pamenduar,/”- që kërkonte ta kontrollonte atë.

Poema “Diktatori” e Jakut është një poeme simbolike, që përmban disa simbole të cilat u referohen ideve interesante dhe tonit sarkastik, trishtues dhe të fortë të poetit kur vëren se njerëzit që e rrethonin “Diktatorin” ishin “mjeshtrat të torturës”,/Që më vonë do të torturonin veten,/Të gjithë janë njëlloj të vdekshëm,/Do të thonte At’Zefi ynë, Diktaturat kanë një fund në këtë dhe/N’se ne do kemi durim!”

Në këto vargje, Jaku jep zemrën dhe shpirtin e tij, përjetimin e diktaturës dhe realitetin gri të mbarsur nga stereotipet e farsave diktatoriale, simbolit të frikës, shtypjes e pesimizmit. Poeti përdor termat “diktatori, të mjeruar, pasiguri, viktima, skëterrën, ferr, hakmarrje, etj, si referenca simbolike që na përshkruan imazhin e fuqishëm të ankthit dëshpërues, të shtypur, të dëshpëruar, të hidhëruar. dhimbjen dhe mbijetesën. Poeti i kundërvë “Diktatorit” fjalët plot mençuri e urtësi të “At Zefi ynë” , dhe kjo i jep lexuesit të kuptojë një atmosferë sarkazme se nuk ka zgjidhje tjetër për të dalë nga “Diktaturat”…. “N’se ne do kemi durim!”

Poeti i drejtohet në mënyrë sarkastike “Diktatorit” që përpoq për disa dekada të mbante nën diktaturë popullin, porse çfarëdo që bëri“Ai” nuk is doli mbanë.

”Vendimet e bërrylave e shtynë diktaturën,/Ta hajë veten si kanceri, t’u brej kockën, E t’i cojë një nga një në skëterrat e ferrit,/Vetëm pse i bënë fresk diktatorit,/U rrit diktatura në prapaskenat e mizorisë së ëndrrave,/Makabre dhe projekteve të merimangës së zezë,/Ushqyer me helmin e fallsitetit,/Deri në vdekjen e shpresës.”

Në këto vargje poeti Jaku shprehet qartë si qytetar, intelektual, shkrimtar dhe poet, ai refuzon rolin e viktimës dhe nën mantelin gri të një “gjyqtari” iu bën gjyqin Diktatorit dhe Diktaturës me fuqinë e një mëndje të shëndetshme, të mprehtë e sarkastike për të deklamuar ndaj realitetit social-ekonomik-politik dhe asaj se cfarë prodhojnë diktatorët dhe diktaturat, tragjeditë, gjurmët dhe hijen që lenë pas.

Në këtë vëllim poetik të titulluar “Të paktën, pak!”, Poeti, Publicisti, Shkrimtari dhe Botuesi, Pjetër Jaku është i hapur, i qartë, meditativ, ironik e sarkastik, provokues e rrrëqethës ndai realitetit diktatorial, poeti përkufizon mjeshtërisht sinoptikën letraro-artistike, dhe kombinimin e modernes me tradicionalen përmes tingujve lirikë në funksion të artit e filozofisë për jetën. Ky vëllim me poezi reflekton personalitetin e maturuar poetik të Pjetër Jakut që është i dallueshëm për qartësitë dhe skepticizmin e tij ndaj realitetit e përvojave jetësore, kur koha duket sikur mbaron. Poezia e tij sjell një frymë të veçantë në goditjen e dukurive që kanë zënë vend në gjithë shoqërinë shqiptare. Poeti Jaku ka rrjedhën e lumit të vet ringjallës, sikundër se është i shenjuar për regjistrimin e ekzistencës se vet në këtë rrjedhë. Poeti Pjetër Jaku i përket atij brezi të artë të ëndrrave të mëdha, lënda e parë e shpirtit, – është ajo e Poezisë!

Postscriptum

Shkrimtari, Poeti, Publicisti i mirënjohur, dhe Botuesi i Revistës, “KUVENDI”, Pjeter Jaku ka lindur në Mollë Kuqe, Mirditë. Ai është klasifikuar ndër autorët shqiptarë më të vlerësuar dhe të njohur në letrat shqipe, proze, poezi, publicistike dhe letërsinë dokumentare.

Mbas mbarimit të studimeve ne Universitetin “Luigj Gurakuqi”, Shkodër, dega Gjuhe-Letërsi, ka punuar disa vjet mësues i Gjuhës dhe Letërsisë në ciklin e lartë të Shkollës 8-vjeçare Tale, dhe më pas Drejtor Shkolle në Rrilë. Nga viti 1993, ka qenë Kryetar i Degës së Librit Lezhë dhe librar në Librarinë Artistike “ Kuvendi” të qytetit Lezhë. Në vitin 1999 Pjetër Jaku emigroi në Amerikë, është shkrimtari dhe poeti në mërgim, që mendon, shkruan dhe krijimtaria e tij flet vetëm shqip!

Një vit pas emigrimit, themeloi Revistën e njohur “Kuvendi”, me botimin e saj të përmuajshme në formatin e një libri, e cila printohet gjithmonë në Atdhe, -një ndihmesë modeste ekonomike në vendlindje. Po ashtu, dhe gjithë librat e tjerë që botohen më siglën e “Kuvendi“ shtypen në Lezhë dhe në Tiranë. Revista “Kuvendi” është në vitin e 21-të botimit, dhe ka një histori të veçantë, që me themelimin e eventit të njohur “Ditët e Letërsisë Shqipe në Amerikë”, të cilat organizohen e drejtohen nga stafi botues i Revistës “Kuvendi” dhe botuesi i saj, Pjetër Jaku, dhe për me shume se dy dekada ndriçojnë kulturën kombëtare Shqiptare në mbarë komunitetin shqiptaro-amerikan në Amerikë. Ditët e Letërsisë Shqipe Michigan, e thënë ndryshe Festa Letrare e Shqiptarisë Amerikane, e cila për vite prezantohet me vizionin, pozitën dhe historinë e saj, – e Bukur dhe Unike.

Ditët e Letërsisë Shqipe në Amerikë”, janë bërë simbol epoke; duke prekur njerëzoren, dinjitetin dhe mundësi të barabarta me diversitetin e pasur kulturor dhe multikulturor, ku të gjithë faktorët natyrorë, njerëzorë dhe fizikë, bashkëpunojnë e bashkëbisedojnë për të ndërtuar urat dhe realizuar mundësitë.

Librat e botuar:

Harrimi i vetes, poezi 1994

Ankthe, poezi 1998

Mungese e hirte, poezi 2008

Te pakten, pak, poezi 2019

Shqiptarët në Detroit, Publicistikë 2006

Kosovë, 10 ditet e para të Pavarësisë, publicistike, 2008

Triologjinë për Fishten, 2003:

Vlerat letrare në Lahuten e Malësisë

Fjalori Fishtian

Vargje të zgjedhura nga veprat poetike të Fishtës

11 PYETJE Zef Brozit, 2001

30 vjet me malësoret , Dom Anton Kcires, 2001

Memorie te Pashk Kçires, 2001

Në prozë:

Dalina, roman, Polici me Kuran, roman

Raimonda MOISIU

Author/ Freelancer,

Jacksonville, Florida USA