Aktualitet Rritet numri i të prekurve me koronavirus në Shqipëri

Rritet numri i të prekurve me koronavirus në Shqipëri

Në 24 orët e fundit janë testuar 46 persona të dyshuar me COVID-19, prej të cilëve 6 kanë rezultuar të infektuar. Lajmin e dha këtë të shtunë Ministria e Shëndetësisë.

Nga rastet e reja 5 qytetarë janë nga Tirana dhe 1 është nga Fieri. Mësohet se ata janë infektuar nga persona të tjerë që kanë rezultuar më parë pozitivë me koronavirus.

Deri në këto momente janë testuar në vendin tonë 778 raste dhe numri total i të konfirmuar si të infektuar është 76. Eugena Tomini nga Instituti i Shëndetit Publik njoftoi se nga rastet e konfirmuara 59% janë meshkuj dhe 41% janë femra, ndërkohë që Tirana është qyteti më i prekur.

“Tiranë 55 qytetarë, Durrës 5 qytetarë, Lushnje 2 qytetarë, Elbasan 2 qytetarë, Fier 8 qytetarë, Rrogozhinë 2 qytetarë, Kavajë 2 qytetarë”, tha Tomini.

Në Spitalin Infektiv ndodhen 37 pacientë, katër prej të cilëve në terapi intensive. Deri në këto momente në vendin tonë janë shënuar dy viktima prej koronavirusit. Por ka edhe lajme të mira. Dy pacientë janë shëruar.

“Dy kontakte të pacientit zero kanë rezultuar negativ edhe pas testit konfirmues që përfundoi mbrëmjen e djeshme. Por edhe pas daljes nga spitali, pacientët e rikuperuar duhet të qëndrojnë në vetëkarantinim edhe për 14 ditë të tjera, duke ndjekur masat e kontrollit respirator dhe higjienën personale”, tha Tomini.

Tomini u shpreh se po vijohet me testimin e rasteve të dyshuara për të ndërprerë zinxhirin e transmetimit të infeksionit COVID-19. Për këtë, ajo tha se edhe qytetarët kanë një rol të rëndësishëm.

“Mënyra e vetme për ta ndërprerë këtë zinxhir është që qytetarët të vetëizolohen dhe të shmangin sa më shumë kontaktet”, tha ajo.