Këtë të enjte është rritur numri i personave që kanë humbur jetën për shkak të koronavirusit në Shqipëri. Një pacient ndërroi jetë mëngjesin e sotëm në Spitalin Infektiv.
Ministria e Shëndetësisë njoftoi se bëhet fjalë për një 78-vjeçar nga Durrësi, gjendja e të cilit ishte rëndë prej disa ditësh. Ai ishte intubuar prej 3 ditësh dhe pavarësisht përpjekjeve të stafit mjekësor nuk mundi të mbijetojë. Kështu numri i personave që kanë humbur jetën nga koronavirusi shkon në 16.
Ndërkohë vijon të rritet edhe numri i të infektuarve. Në 24 orët e fundit janë testuar 96 persona të dyshuar, prej të cilëve janë konfirmuar 18 raste të reja me COVID-19.
Numri i përgjithshëm i të infektuarve ka shkuar në 277. Nga këta 8 raste janë fëmijë. Mosha mesatare e të infektuarve është 50 vjeç.
Siç u njoftua më herë nga kryeministri Edi Rama numri i përgjithshëm i personave të shëruar ka shkuar në 74.
Qyteti më i prekur nga COVID-19 vijon të jetë Tirana me 143 raste dhe ndiqet nga Durrësi me 30 raste.
Harta e të infektuarve:
Tiranë 143 raste
Durrës 30 raste
Lushnje 4 raste
Elbasan 8 raste
Fier 23 raste
Kavajë 6 raste
Rrogozhinë 2 raste
Korçë 16 raste
Vlorë 5 raste
Shkodër 10 raste
Lezhë 6 raste
Berat 1 rast
Has 8 raste
Krujë 5 raste
Tropojë 4 raste
Pukë 4 raste
Mirditë 2 raste.