Kryesore Rudina Hajdari: Nuk bojkotojmë zgjedhjet, demokratët të na mbështesin

Rudina Hajdari: Nuk bojkotojmë zgjedhjet, demokratët të na mbështesin

Kryetarja e grupit parlamentar të deputetëve të rinj demokratë në Parlament, Rudina Hajdari, u shpreh se është kundër bojkotimit të zgjedhjeve lokale të 30 Qershorit.

Gjatë fjalës së saj në seancën plenare, Hajdari kërkoi mbështetjen e demokratëve që nuk ndihen tashmë të përfaqësuar nga largimi i Partisë Demokratike nga Kuvendi.

“Do kërkoja nga çdo demokrat që të na mbështesin në këtë iniciativë. Nuk jemi dakord për bojkotimin e zgjedhjeve të 30 Qershorit. Sado e korruptuar të jetë kjo mazhorancë, ne nuk duam në asnjë lloj mënyre të bojkotojmë çfarëdo lloj zgjedhjesh. Ne do përpiqemi që opozitarëve mos t’i lemë një vend bosh në këto zgjedhje. Ftoj në këto përpjekje për të mos i bojkotuar zgjedhjet, ta rikonsiderojnë vendimin, sepse nuk është një mjet demokratik, nuk mund të luajmë jashtë rregullave politike, të respektojmë Kushtetutën.

E konsideroj të rëndësishme që ne të përgatitemi dhe të marrim masa të mundshme për të shpalosur një alternativë tonën. Ftoj çdo lloj demokrati të na përkrahë që të mundohemi të shpalosim alternativën tonë në Parlament, të hapim rrugë për një garë reale në Parlament, të ndryshojmë sistemin, t’i japim fund sistemit që e ka kalbur demokracinë”, tha Rudina Hajdari.

Deputetja Hajdari foli edhe për detyrën e re si kryetare e grupit parlamentar të PD, duke i falenderuar kolegët e saj që i besuan këtë detyrë.

“Ne jemi këtu sepse ndajmë një vizion të përbashkët sa i përket zgjidhjes së krizës politike në vend. Unë i shikoj ata si përfaqësues të denjë të këtij grupi dhe qytetarëve demokratë në të gjithë Shqipërinë”.