Sport Rumenige kundër pagave të lojtarëve: Bajerni nuk bën kurrë çmenduri

Rumenige kundër pagave të lojtarëve: Bajerni nuk bën kurrë çmenduri

Pagat e futbollistëve po bëhen gjithmonë e më stratosferike. Klubet më të mëdha europiane bëjnë çmenduri çdo sesion merkatoje për blerjen e tyre, ndërkohë që nga Kina vijnë oferta përrallore për yjet e futbollit botëror.

Megjithatë, ka edhe nga ata që nuk duan të bëhen pjesë e kësaj loje. Presidenti i këshillit administrativ të Bajern Mynih, Karl-Hainc Rumenige, ka folur për gazetën “Bild” në lidhje me këtë çështje, duke theksuar se pagat e futbollistëve po kalojnë çdo logjikë.

“Merkatoja ka ndryshuar krejtësisht. Dhe jo vetëm për koston e futbollistëve, ku 100 milionë apo 120 milionë euro nuk janë më shifra impresionuese. Ajo që më shqetëson më shumë aktualisht ka të bëjë me pagat e futbollistëve në Spanjë, Angli dhe Itali. Duhet të jemi shumë të kujdesshëm për të mos e destabilizuar tregun dhe sistemin e pagave mujore të futbollistëve. Janë paga të jashtëzakonshme”, – shprehet Rumenige.

Drejtuesi i Bajernit i referohet rastit të Grizmanit te Barcelona për ta bërë më të qartë idenë e tij dhe për të vënë alarmin për shifrat e pakuptimta, sipas tij, që po paguajnë klubet për futbollistët.

“Për shembull, Grizman do të jetë milioneri i Barcelonës me pagën dhe bonuset që do të përfitojë. Por klubi do të paguajë dyfishin për të, për shkak të taksave. Bajerni nuk do të bëjë kurrë çmenduri të tilla. Duhet të vazhdojmë me mënyrën tonë të zakonshme të pagesës së lojtarëve”, – ka përfunduar Rumenige.