Bota Rusi-Ukrainë takohen në Turqi, Erdogan beson se do arrijë një armëpushim

Rusi-Ukrainë takohen në Turqi, Erdogan beson se do arrijë një armëpushim

Për herë të parë që nga fillimi i pushtimit rus në Ukrainë, ministrat e Jashtëm të dy vendeve kanë rënë dakord të takohen për bisedime, të cilat zhvillohen nesër në Turqi.

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan ka thënë se shpreson që takimi në resortin jugor të Antalias do të “hapë derën për një armëpushim të përhershëm”.

Nuk është e qartë se sa janë mundësitë që kjo të ndodhë, pasi presidenti rus ka thënë se do të ndjekë qëllimet e tij qoftë përmes negociatave apo veprimeve ushtarake.

Turqia është anëtare e NATO-s, por presidenti i saj është përpjekur të krijojë një qëndrim të ndryshëm nga vendet perëndimore për pushtimin rus.

Ai është shprehur se nuk e pranonte atë që po ndodhte me ukrainasit, por i ka cilësuar sanksionet e perëndimit në një gjueti shtrigash kundër popullit, letërsisë, studentëve dhe artistëve rusë.