Shumë aplikantë përdorin internetin për të gjetur renditjen për universitetet më të mira në raportin U.S. News & World Report, Forbes, Princeton Review, apo në renditjen e gazetës Wall Street Journal dhe revistës Times Wall Street Journal/Times Higher Education. A janë këto lista të sakta, a reflektojnë vërtetë renditjen e universiteteve më të mira?
Organizata U.S. News & World Report publikoi listën “Universitetet më të Mira Amerikane” për herë të parë në 1983 dhe shumë shkolla e shfrytëzojnë këtë renditje për të reklamuar veten. Megjithatë, disa specialistë të arsimit kanë ngritur pikëpyetje për këtë renditje dhe vlerën e saj.
Ekspertët mbi Listat e Renditjes së Universiteteve
Ray Anderson është ish-drejtor i një shkolle të mesme. Ai tani punon për organizatën konsulente AGM-College Advisors në Virxhinia. Zoti Anderson thotë se ai i shfrytëzon këto renditje kur diskuton me të rinj për të analizuar çfarë i shërben më mirë studentit.
“Qëllimi i bisedës është të kuptojmë se kush është ky i ri si individ dhe më pas diskutojmë se çfarë i përshtatet atij, jo se cilës shkollë i përshtatet aplikanti”.
Jeffrey Stahl, punon në një shkollë të mesme në Virxhinia ku këshillon nxënësit për aplikimet universitare. Ai pohon se këto renditje nuk kanë shumë vlerë. Ai thotë se këto lista ndihmojnë deri diku, por se disa studentët u kushtojnë shumë rëndësi emrit të shkollës dhe pozitës së saj në listë.
“Ka shumë gjëra për mjedisin universitar, studentët, profesorët që nuk mund të përcillen përmes renditjeve në këto lista”.
Zoti Stahl mendon se familjet duhet ta përdorin këtë listë si pikë fillestare ku të fillojnë kërkimet dhe më pas të vendosin se në cilat shkolla të aplikojnë.
David Hawkins, drejtor ekzekutiv për politikat arsimore në Shoqatën e Konsulentëve për Pranimet Universitare thotë se listat “nuk janë matje me saktësi matematikore e cilësisë së universiteteve individuale, apo mjet për të krahasuar dy apo më shumë universitete”.
Ai thotë se listat e bëjnë nganjëherë të vështirë për disa universitete të tërheqin aplikantë, pasi këto universitete renditen më poshtë.
“Për këtë arsye këto renditje kanë krijuar probleme etike. Në disa raste universitetet shtrembërojnë faktet për të manipuluar renditjen në këto lista”.
Në korrik organizata U.S. News & World Report hoqi nga lista e universiteteve më të mira, pasi pesë universitete u provua se kishin manipuluar të dhënat që deklaronin për të siguruar renditje më të lartë.
Studentët duhet të analizojnë më tepër faktorë se thjesht këto renditje në mënyrë që të gjejnë një universitetet që u përshtatet më së miri.
Zoti Hawkins vë në dukje se aplikantët ndërkombëtarë mund të mendojnë se këto renditje përgatiten nga qeveria amerikane, por kjo s’është e vërtetë.
“Ne përpiqemi t’ua bëjmë të qartë se këto janë organizata komerciale”./VOA